Kryekuvendari Konjufca pret në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, flasin për zgjedhjet

1 minute, 20 seconds Read

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Petra Bayr.

Pasi i falënderoi për vizitën e tyre në Kosovë, në njoftim thuhet se  kryetari Konjufca i njoftoi mysafirët me ecurinë aktuale politike në vendin tonë, në këtë periudhë të fushatës zgjedhore që përfundon me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke vlerësuar se ky proces është duke u zhvilluar konform përcaktimit të tij ligjor, në frymë demokratike, si dhe duke i ndjekur e nxitur vlerat tona të përbashkëta evropiane.

“Në takim u diskutua rreth ligjit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës që e definon këtë proces, si dhe në lidhje me pritshmëritë që këto zgjedhje të vazhdojnë traditën e mirë demokratike, si një vend që aspirojmë zhvillim sa më të madh në këtë drejtim, me aspirata të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane”.

Konjufca ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Kryetari Konjufca e falënderoi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për diskutimin e frytshëm dhe iu uroi atyre qëndrim sa më të mirë e sa më produktiv në vendin tonë.

Publikime te ngjashme