Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhjen e radhës, ndërkaq në rend dite është edhe certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
Mbledhja e KQZ do të mbahet në ora 16:00.
Sipas njoftimit, KQZ ka këto pika të rendit të ditës: zëvendësimin e të zgjedhurve që kanë hequr dorë nga pozita e deputetit dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Nëse certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve bëhet sot, aty ky proces po realizohet pas më shumë se 40 ditë.
Prolongimi i certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve u bë pas ankesave të partive politike lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
KQZ ditë më parë ka miratuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në të cilin prin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me mbi 390,000 vota apo 42.30 për qind.
E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190,000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170,000 mijë vota, apo 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66,000 vota apo 7.06 për qind.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39,000 vota apo 4.26 për qind.
Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende. /Telegrafi