Bllokada politike dhe dështimi për të konstituuar Kuvendin e Kosovës po u kushton rëndë taksapaguesve. Sipas një analize të publikuar nga analisti Agron Demi, kostoja totale e pagave për 120 deputetët që nga muaji prill ka kaluar shifrën 1 milion euro, pavarësisht se seancat e dështuara kanë zgjatur vetëm pak minuta.
Demi shpjegon se paga bazë e një deputeti është 1,859 euro, por kjo shumë rritet në bazë të viteve të shërbimit, duke arritur në disa raste mbi 2,600 euro. Ai vë në dukje se vetëm gjatë muajit maj, janë shpenzuar 235 mijë euro për pagat e 103 deputetëve (duke përjashtuar ata që shërbejnë në Qeveri).
Pika kryesore e kritikës së tij është kontrasti i thellë mes pagës dhe punës së kryer. “Një seancë po zgjatë rreth 5min mesatarisht, 46 seanca të dështume, deputetët maksimum prej prillit kanë punu 4 orë. E për këto 4 orë i kanë mar deri tash rreth 7 mijë euro,” ka shkruar Demi, duke i cilësuar deputetët si “badihavgjinj”.
Në fund të analizës së tij, Demi u drejtohet në mënyrë ironike votuesve, veçanërisht atyre me paga minimale, duke i ftuar që “herën tjetër të dalin e t’i votojnë prapë të njëjtit”, raporton lajmishqip.