Një skandal i vërtetë po vazhdon prej javësh në Maqedoni të Veriut. Ivan Stoilkoviç, zëvendëskryeministër dhe ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, përdor termin ofendues serb “Kosovë dhe Metohi” për t’ju referuar Republikës së Kosovës, shtet të cilin Shkupi e njeh zyrtarisht, në një deklaratë të publikuar në uebsajtin zyrtar të ministrisë.
Pavarësisht polemikave dhe zotimit se deklarata do të ndryshohej në përputhje me qëndrimin zyrtar të Maqedonisë së Veriut, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Bashkimi Demokratik për Integrim denoncon edhe faktin se ditëve të fundit Stoilkoviç është dekoruar nga një shoqatë serbe të Vullnetarëve të Luftës së viteve 1912-1918, një grupimi që ka kryer spastrim etnik kundër shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Në atë periudhë, veçanërisht gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, popullata civile në territoret e sotme të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht shqiptarët, u përballën me spastrim etnik, masakra dhe zhvendosje masive. Burime historike dëshmojnë për djegie fshatrash të tëra shqiptare, përdhunime, tortura dhe ekzekutime masive. Në Tetovë, Gostivar, Shkup, Kërçovë dhe shumë rajone të tjera, shqiptarët u vunë në shënjestër nga forcat serbe, duke i trajtuar ata si pengesë për projektin e asimilimit dhe zgjerimit territorial serb. Sipas dëshmive historike, mbi dhjetëra mijëra shqiptarë u vranë, dhe mijëra të tjerë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre. Në disa raste, barbarizmat përfshinin përdhunime dhe djegie të gjalla të civilëve shqiptarë.”
BDI thekson se është “një ironi tragjike që një zyrtar qeveritar, i cili udhëheq ministrinë përgjegjëse për marrëveshjen e Ohrit dhe përfaqëson një shtet që duhet të promovojë pajtimin dhe bashkëjetesën, pranon një dekoratë nga një shoqatë që lidhet drejtpërdrejt me një periudhë kaq të dhimbshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe e publikon atë si mirënjohje”.
Gjithashtu nënvizon se ky akt nuk është asgjë më pak se një përpjekje për të legjitimuar krimet e së kaluarës dhe për të fyer kujtimin e mijëra viktimave shqiptare.