Sipas raportit ndërkombëtar të kryer nga Fondacioni i Regjistrimit të Lloydit, Kosova është futur në listë të zezë për keqmenaxhim të mbeturinave. Sipas ekspertëve mjedisorë, vetëdija kolektive për mbrojtjen e mjedisit është e ulët.
Kosova u fut në listë të zezë botërore për keqmenaxhim të mbeturinave.
Kjo për shkak të mungesës së një sistemi që bën ndarjen e mbeturinave para se të hudhen dhe të mblidhen nga autoritetet lokale.
E gjithë kjo u tha në të dhënat e raportit të Sondazhit të Rrezikut Botëror të kryer nga Fondacioni i Regjistrimit të Lloydit.
Se gjendja është e rëndë e thotë edhe ekologia, Valentinë Uka.
“Në këtë kauzë gjendja qëndron mjaft rëndë për shkak se tek ne nuk bëhet klasifikimi i mbeturinave. Pra të gjitha mbeturinat hudhen në kontejnerë të përbashkëta, pa marrë parasysh çfarë lloj të materialeve janë e çka përmbajnë ato mbeturina. Edhe kjo shkakton ndotje enorme, ku automatikisht shkakton edhe shpërndarje të sëmundjeve e infeksioneve që barten mes vektorëve që janë, mushkonjat, mizat, brejtësit që rrezikojnë popullatën në aspektin shëndetësor”, shprehet Uka për Teve1.
Por këto nuk janë problemet e vetme, pasojat e së cilës po i vuan Kosova sot në aspektin e mjedisit.
“Të gjithë banorët ende nuk janë vetëdijesuar që të mos i hudhin mbeturinat nëpër rrugë apo nëpër vende urbane, por poashtu edhe nëpër fshatra. Në anën tjetër një problem shqetësues i cili nuk ka arritur të zgjidhet janë deponitë ilegale të cilat janë në mbarë Kosovën”, shprehet Valon Raka nga OJQ “Gjethi”.
Tëvë1 ka pyetur Ministrinë e Mjedisit se a ka në plan ndërmarrjen e ndonjë veprimi për ngritjen e ndërgjegjësimit te qytetarët apo klasifikimin e mbeturinave, mirëpo deri në publikimin e kronikës të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje.