Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës vlerësohet se mund të rrezikohet pas rekomandimeve të fundit franko-gjermane. Këto dy shtete po kërkojnë miratimin me dekret qeveritar të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Njohës të procesit shpresojnë që këto rekomandime të mos jenë kushtëzime thelbësore për anëtarësim.
Hapat e fundit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës mund të marrin kthesë tjetër. Kështu të paktën mendojnë njohës të fushës, pas mesazheve të fundit të Francës dhe Gjermanisë.
Afrim Hoti, njohës i çështjeve politike, shpjegon procedurën e anëtarësimin në Këshillin e Ministrave. Ai thotë se ministrat e jashtëm duhet vetëm të japin fjalën e fundit për anëtarësim, por thotë se ka mundësi që të kërkohet nga ndonjë ministër edhe asociacioni.
Kur Kosova gati se ka mbërritur në fund të procesit për anëtarësim në Këshill të Evropës, kumbarët e planit franko-gjerman po kërkojnë miratimin me dekret qeveritar të draft statutit të Asociacionit.
Sipas njohësit të kësaj fushe, Albinot Maloku, Kosova ka qëndruar mirë sa u përket procedurave për anëtarësim. Andaj, ai shpreson që rekomandimet franko-gjermane të mos jenë kushtëzime thelbësore për anëtarësim.
Në prill të këtij viti, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti raportin që rekomandon anëtarësimin në këtë organizatë.
I njëjti ka kaluar në duart e ministrave të Jashtëm të këtij këshilli, i cili do të vendosë nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e tij./rtk