Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar si një triumf për paqen dhe shtetësinë faktin që Kosova u rreshtua sot mes 20 shteteve themeluese që nënshkruan Kartën e Bordit të Paqes në Davos.
Në një intervistë për RTK-në, ajo theksoi se përfshirja e vendit në këtë marrëveshje është një vlerësim i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Donald Trump për progresin e Kosovës. “Përzgjedhja e Republikës së Kosovës si anëtare themeluese nga ana e SHBA-së dëshmon qartë konsideratën që presidenti Trump dhe Amerika kanë për rolin tonë në stabilitetin global,” deklaroi Osmani nga Shtëpia e Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror.
Presidentja nënvizoi se qëndrimi përkrah SHBA-së përfaqëson një ndjenjë të fortë përkatësie, duke rikonfirmuar orientimin euroatlantik të vendit. Sipas saj, çdo anëtarësim ndërkombëtar është i rëndësishëm, por ai merr karakter historik kur vjen përmes aleatit strategjik që i qëndroi pranë Kosovës në momentet më kritike.
Osmani shprehu bindjen se kjo organizatë do të jetë kyçe në historinë moderne, duke ndikuar në zonat e konfliktit, ku përvoja e shtetndërtimit të Kosovës do të shërbejë si model. “Kemi shumëçka për të ofruar nga përvoja jonë në ndërtimin e paqes dhe demokracisë. Jemi mirënjohës që SHBA-të na përzgjodhën për të vënë këto themele,” shtoi ajo.
Marrëveshja pritet t’i dërgohet për ratifikim legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Presidentja u shpreh e lumtur që Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e kësaj nisme si anëtare të barabarta. Po ashtu, ajo vlerësoi lart përfaqësimin e potencialit të Kosovës dhe mërgatës përmes Shtëpisë së Kosovës në Davos, përballë liderëve më të fuqishëm botërorë. /lajmishqip.net
