Komuniteti Musliman reagon për të ashtuquajturin ‘Shteti bektashi’: “Precedent i rrezikshëm, ne jemi përfaqësuesi i vetëm i Islamit në Shqipëri”

3 minutes, 28 seconds Read

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar në lidhje me nismën “e çmendur” të kryeministrit Edi Rama për themelimin e Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi brenda territorit të Tiranës.

Në reagimin e saj, KMSH thekson se është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri, teksa shpreh shqetësime kur flitet për “Islam modern”, “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë.

KMSH shton se të gjitha fetë abrahamike në thelbin e tyre kanë si qëllim t’i shërbejnë rrugës së Zotit dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri, siç bëjnë prej mijëra vitesh.

Sipas Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut dhe sipas saj, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Më tej theksohet se kjo nismë e Edi Ramës është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Deklarata e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë:

Nisur nga interesi i lartë i besimtarëve, mediave dhe opinionit publik, lidhur me hapjen e diskutimit për themelimin e “Sovranitetit të Urdhërit Bektashi” në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë deklarohet sa më poshtë vijon:

Komuniteti Myliman i Shqipërisë është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri.

Feja jonë ka tre komponentë themelorë mbi të cilët ushtron veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë për mbi një shekull, të cilët janë:

1-Kurani Famëlartë, fjala e Zotit të Gjithësisë,

2-Tradita Profetike,

3-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për “Islam modern” apo “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë

Këto terma nuk kanë asnjë lidhje me Islamin si fe, e cila është fe universale dhe bazohet mbi Kuranin dhe Traditën Profetike dhe respekton kushtetutat e ligjet në çdo vend ku bën pjesë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni nën obrellën e të cilit kanë qenë dhe do të vijojnë të jetë të përfaqësuara të gjitha tarikatet derivate.

Ky ka qenë edhe qëllimi i dijetarëve mylimanë të cilët kanë punuar për një Shqipëri të pavarur, laike dhe multi fetare.

Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend.

Ky komunitet nuk e ka cilësuar kurrë harmoninë e dialogun si “domain” të tijin, pasi kjo vlerë e jashtëzakonshme që ekziston në vendin tonë është kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë.

Në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Të gjitha fetë abrahamike në thelbin e tyre kanë si qëllim t’i shërbejnë rrugës së Zotit dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri, siç bëjnë prej mijëra vitesh.

Kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Sa më lart sqaruam, ne sigurojmë besimtarët myslimanë në Republikën e Shqipërisë se do t’i përfaqësojmë ata dhe çdo besimtar të cilit do tarikat, ashtu siç kemi bërë deri më sot, edhe në vijim.

Ne do të vijojmë ta ndjekim me vëmendje këtë çështje dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë.

Publikime te ngjashme