Koci e aplikon Kosovën në librin Guinness për “rekord turpi”: 48 dështime të Kuvendit

1 minute, 23 seconds Read

Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se ka aplikuar zyrtarisht në Librin e Rekordeve Guinness për të regjistruar dështimin 48 herë radhazi të konstituimit të Kuvendit të Kosovës si një rekord botëror.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koci e ka përshkruar këtë bllokadë institucionale si një “turp” dhe “absurditet demokratik” për vendin.

Ai ka theksuar se një situatë e tillë është e paprecedentë dhe nuk është hasur në asnjë vend tjetër në botë.

“48 herë radhazi ka dështuar themelimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dyzet e tetë përpjekje pa rezultat, turp!”, ka shkruar ai.

Koci ka shtuar se as vendet me kriza të thella institucionale apo përçarje të mëdha etnike e sektare nuk kanë regjistruar një rast të tillë, duke e theksuar absurditetin e situatës politike në Kosovë.

“Sipas bindjes sime, kjo nuk ka ngjarë askund në botë, madje as në shtetet me përçarje të thella etnike, sektare apo politike. Kjo ndodh vetëm te ne – në një shtet që e quan veten demokratik”, ka theksuar ai.

Ai ka njoftuar se do të vazhdojë protestën e tij para ndërtesës së Kuvendit, të cilën e ka cilësuar si pjesë të “protestës qytetare për rend demokratik”.

“Të hënën do ta vazhdoj protestën time para Kuvendit, e cila sigurisht që do të jetë interesante,” ka përfunduar Koci, duke shtuar se nëse aplikimi miratohet, “atëherë së paku ta dimë që jemi të parët në botë për diçka – për një rekord turpi!”, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme