Pushka gjysmë automatike AR-15 është arma e përdorur në tentativën për vrasjen e Donald Trump të shtunën. Ajo njihet si një nga armët më të njohura dhe më famëkeqe të Amerikës, raporton The Guardian.
E lidhur ngushtë me pushkën ushtarake plotësisht automatike M-16, AR-15 është përdorur në një numër të të shtënave masive të fundit në SHBA, duke përfshirë sulmin në Las Vegas në tetor 2017, ku u vranë 59 njerëz dhe sulmin anti-LGBTQ+ që la pesë persona të vrarë Kolorado Springs në nëntor 2022.
Pas tentativës për vrasjen e Trumpit në një tubim në Butler, Pensilvani, vëmendja në mënyrë të pashmangshme do të kthehet te prania e armës në shoqërinë amerikane.
Grupet e kontrollit të armëve kanë argumentuar prej kohësh se pushka – inicialet e së cilës janë marrë nga kompania e armëve të vogla ArmaLite që e ka zhvilluar atë – nuk ka vend në duart e civilëve.
”Është një armë lufte që është me të vërtetë e përshtatshme vetëm për ushtarët në një zonë luftarake”, tha për NBC vitin e kaluar Lindsay Nichols, drejtoreshë e politikave në Qendrën Ligjore Giffords. “Aftësia për të vrarë shumë njerëz shpejt është arsyeja pse ne duam që të ndalohet”.