Prokurori Matthew Holling ka hedhur poshtë kategorikisht argumentet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, sipas të cilëve akuza nuk posedon dëshmi për urdhra apo komunikime direkte nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së që konfirmojnë qëllimin e përbashkët kriminal.
Ai ka potencuar se në kuadër të provave ekzistojnë dëshmi tronditëse që lidhen me diskutimet për “ekzekutimin masiv të personave të ndaluar”.
“Ekzekutorët që hapën zjarr kishin deklaruar, citoj: ‘Kemi urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm t’i largojmë të burgosurit’. Menjëherë pas këtij komunikimi, ata i dërguan viktimat drejt vendit të ekzekutimit”, ka thënë Holling.
“Ky është Shtabi i Përgjithshëm pjesë e të cilit ishin të gjithë të akuzuarit e asaj kohe. Ky ishte një urdhër i drejtpërdrejtë nga kupola drejtuese që reflektonte qëllimin kriminal për të cilin rëndon akuza, dhe kjo provë mbetet e pashlyeshme”, shtoi ai më tej.
Holling ka vlerësuar si të paqëndrueshme kritikat e mbrojtjes, sipas të cilave Prokuroria po mbështetet ekskluzivisht në prova inkriminuese duke shpërfillur ato shfajësuese.
“Në dosjen tonë gjenden sqarime të detajuara mbi besueshmërinë e dëshmitarëve tanë. Provat shfajësuese nuk janë anashkaluar asnjëherë, prandaj edhe disa pretendime të mëhershme janë modifikuar apo janë tërhequr plotësisht nga shqyrtimi bazë”./lajmishqip.net
