Java e krenarisë do të organizohet për të tretin vit me radhë në Kosovë nga data 3-8 qershor.
“Kemi qenë dhe do t’jemi” është slogani i sivjetmë i këtij eventi, kanë njoftuar organizatorët në një komunikatë për media të shtunën.
“Sllogani ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ është kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi. Ekzistenca jonë është në paradën tonë të përditshme, në defileun tonë në një vend ku ngjyrat shpesh pengojnë. Duke e respektuar të kaluarën tonë, ne duam të shohim kah e ardhmja. Heshtja ka qenë mekanizmi ynë për shumë gjatë, por jo tash e tutje. Në mes të sfidave e vështirësive, shpirtrat tanë kanë mbetur të fuqizuar”, thuhet në një komunikatë të organizatave që organizojnë javën e cila shërben si demonstrim për barazi te komunitetet LGBTIQ+.