Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë arsye ligjore apo morale për mbajtjen në paraburgim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.
Në një postim në Facebook, Kurti tha se ka punuar në heshtje për çështjen e tyre, duke theksuar se “puna më efektive shpesh bëhet pa zhurmë”.
“Menjëherë pasi kishte vendosur lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po mbahet. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave, ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim: ‘rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët’. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim,” ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se që nga dita e parë si kryeministër ka kërkuar lirimin e tyre, duke bërë publike për herë të parë letrën që i kishte dërguar Kryetares së Dhomave të Specializuara, znj. Ekaterina Trendafilova, në shtator të vitit 2022.
“Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe si deputet, bashkë me Rexhën, i patëm paraqitur qëndrimet tona për këtë gjykatë që sot po gjykon. Si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Sot po e bëj publike letrën e dërguar znj. Trendafilova, sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës,” shkroi Kurti.
Ai sqaroi se përgjigja e znj. Trendafilova, dy javë pas marrjes së letrës, nuk solli asnjë ndryshim dhe se kërkesat për lirimin e tyre mbeten ende të vlefshme.
“Kërkesat tona qëndrojnë akoma. Në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë që ata të mund të mbrohen në liri,” përfundoi Kurti./lajmishqip.net
