Katalogu i Trashëgimisë Kulturore në Prizren

2 minutes, 49 seconds Read

Në qendër të Prizrenit, afër objektit të Kuvendit të Vjetër, “Beledijes”, i cili është një nga objektet që gjendet në listën e monumenteve nën mbrojtje të përhershme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, më 26 mars 2025, në prani të drejtorit të Drejtorisë për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Prizrenit, z. Ramadan Tarashaj, është përuruar “Katalogu i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme në Komunën e Prizrenit”. Projekti është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Autorët e këtij katalogu janë profesori universitar Dr. Valbon Bytyqi dhe MSc. Faton Morina.


Katalogu, në gjuhën shqipe dhe atë angleze, është vendosur në mbajtësen pranë objektit të “Beledijes”, në rrugën Remzi Ademaj, afër Drejtorisë për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik, si dhe në mbajtësen afër “Hamamit të Gazi Mehmet Pashës”, përgjatë rrugës Adem Jashari.

Në katalog janë paraqitur 24 monumente kulturore nën mbrojtje të përhershme të Komunës së Prizrenit, duke filluar me ato që janë simbol i këtij qyteti: “Kalaja e Prizrenit”, “Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit”, “Xhamia e Sinan Pashës”, “Kulla e Sahatit – Muzeu Arkeologjik”, “Kino Lumbardhi”, “Shtëpitë e vjetra”, “Krojet e vjetra të Binbashit dhe Beledijes”, si dhe monumente të trashëgimisë që gjenden jashtë zonës së qytetit, si: “Hidroelektrana”, “Tuma ilire” në Shpenadi, “Kalaja e Korishës” dhe “Kulla e Pjetër Prenk Palaj” në Zym. Pamjet e të gjitha monumenteve janë realizuar me dron dhe paraqesin gjendjen reale të tyre, ndërsa në këndin e djathtë të çdo faqeje gjendet një QR code që tregon lokacionin e saktë të tyre në Google Maps.

Duke qenë se qyteti i Prizrenit është qyteti më i vizituar në Kosovë dhe ka numrin më të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj, që nga promovimi i katalogut vërehet një interesim i madh nga turistët për ta parë dhe analizuar katalogun e vendosur në hapësirat publike të qytetit. Ky projekt përfaqëson një lehtësim të madh në identifikimin dhe njohjen e trashëgimisë kulturore të Prizrenit.

Katalogu është pranuar edhe nga kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj. Kopje të katalogut në gjuhën shqipe dhe angleze, të shtypura në material cerade në formatet A0 dhe A1, do të vendosen në korridoret apo hapësirat më të frekuentuara. Ndërkaq, qindra kopje në letër në formatet A3, A2 dhe A4 janë shpërndarë për të gjithë drejtorët e drejtorive komunale, si dhe për Zyrën për Çështje Akademike dhe Qendrën për Karrierë dhe Alumni në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, “Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore” dhe muzetë e qytetit të Prizrenit.

Projekti i krijimit të “Katalogut të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme në Komunën e Prizrenit” është projekti i katërt i realizuar, pas atyre: “Katalogut turistik të Komunës së Suharekës dhe Qytetit të Suharekës”, “Hartës së Monumenteve Natyrore dhe Kulturore-Historike nën mbrojtje në Komunën e Suharekës”, dhe “Hartës Orientuese të qytetit të Suharekës”, të autorëve Dr. Valbon Bytyqi dhe MSc. Faton Morina, në kuadër të angazhimit të tyre për promovimin e turizmit në Rajonin e Prizrenit.

Publikime te ngjashme