Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka reaguar pasi institucionet serbe kanë ndaluar festivalin “Mirëdita, dobar dan” sot në Beograd.
Ajo tha se shteti serb u rreshtua në anën e huliganëve dhe se në Serbi nuk do të mund të organizohet më debat për pajtim.
“Me ndalimin e “Mirëdita, dobar dan” Serbia dhe institucionet e saj u rreshtuan me huliganët dhe në errësirën e etnonacionalizmit më të madh. Në Serbi më s’mund të organizohet debat për pajtimin e as protestë kundër glorifikimit të kriminelëve. Vrimë e zezë”, ka shkruar ajo në X, raporton Gazeta Express.
Sa zabranom “Mirdite”, Srbija i njene institucije svrstale su se uz huligane i najcrnji etno nacionalistički mrak. Više se u Srbiji ne može organizovati debata o pomirenju, a ni protest protiv glorifikacije ratnih zločinaca. Crna rupa.
Pak më herët, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se ka lëshuar urdhër për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” për “shkaqe sigurie”.
Hapja e festivalit është paraparë të ndodhte në orën 18:30 të 27 qershorit në sheshin Dorqol dhe disa orë para hapjes, një grup i madh i djathtistëve u mblodhën në hyrje të zonës, duke valëvitur flamuj serbë.
“Mirëdita, dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.
Ngjarja organizohet nga organizatat joqeveritare – Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Iniciativat Qytetare nga Serbia dhe Integra nga Kosova.