“Beogradi nuk tregon vullnet politik që çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës t`i qaset në mënyrë serioze, sepse pakicën shqiptare ende e konsideron problematike”.
Kështu deklaroi deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në televizionin publik të Kosovës.
Ai këto deklarata i dha ndërsa po fliste për takimin që ka patur me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, ku tha se i dorëzoi për të pestën herë një listë me kërkesat e njejta, e të cilat nuk janë marrë parasysh asnjëherë deri më tani.
“Kërkesa jonë bazë është plani 7 pikësh me gjithë komponentat e tij. Vuçiq nuk dha ndonjë shpresë të caktuar se do të mund të bëhet, komenti i tij ishte se do të na duhen konsultime me partnerët ndërkombëtar lidhur me realizimin. Por duhet të potencohet se kemi të bëjmë me një dokument i cili nga qeveria e Serbisë është aprovu me 4 Qershor, 2013. Pra thjeshtë ajo që ne jemi të interesuar me bisedu është dinamika e realizimit të këtij plani”, deklaroi Kamberi.
Ai tha se Vuçiq pret një moment të caktuar për të nisur realizimin e ndonjë kërkese, por sipas tij, kjo ditë nuk do të vijë derisa bashkësia ndërkombëtare të fillojë të ushtrojë një presion më të madh ndaj Serbisë lidhur me këtë temë.
“Përkëdhelja, e posaqërisht që Bashkimi Evropian po ia bën presidentit serb, po e liron atë nga përgjegjësia e realizimit të tre marrëveshjeve që ka me shqiptarët”, tha mes tjerash Shaip Kamberi.
Ai tutje tregoi se në këtë takim me presidentin serb nuk u diskutua fare për qeverinë, mandatarin, as për kandidatin për kryetar të parlamentit.
Kamberi mes tjerash deklaroi se nuk janë të interesuar të jenë pjesë e qeverisë dhe kjo gjë sipas tij nuk do të ndodhë as nëse do të kenë ftesë nga presidenti Aleksandër Vuçiq. Sipas tij, para se të flitet për përfaqësim në qeveri, duhet të realizohen disa kërkesa të shqiptarëve.
“Derisa nuk kemi një plan të qartë për integrimin e shqiptarëve në gjyqsor, në polici, në inspeksionet republikane, në doganë e të gjitha shërbimet tjera që veprojnë në komunat tona, në përfaqësimin tonë në 33 përqind në nivel rajonal, nuk kemi pse bisedojmë as me Vuçiqin as me ndërkombëtarët, për përfshirjen tonë si marionetë në qeveri”, theksoi ai.
E duke folur për idenë e ripërcaktimit të kufijve, Kamberi tha se Lugina e Preshevës asnjëherë nuk dëshiron t’i imponojë agjenda Kosovës. Ajo që është me rëndësi sipas tij është arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë përmes së cilës Serbia do ta njeh Kosovën.
“Kjo sjell paqe në Ballkan. Në anën tjetër ne kemi ne kemi një referendum të vitit 1992 për autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimin me Kosovën, dhe nëse një marrëveshje eventuale mes dy shteteve sjell një mundësi të atillë në kuadër të së cilës komplet Lugina e Preshevës, jo pjesë parciale të saj, të jenë pjesë e një territori në të ardhmën, atëherë është çështje që mund të vlerësohet. Por të futemi në një proces me të panjohura sigurisht se mund të jetë një rrezik”, deklaroi mes tjerash deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.