“Jack Smith, një gënjeshtar i madh” – Gucati flet për arrestimin nga Specialja dhe trajtimin në burg

3 minutes, 28 seconds Read

Hysni Gucati, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka rrëfyer momentin e arrestimit nga Gjykata Speciale në Hagë, më 25 shtator 2020.

Sipas tij, ai ishte ndjekur nga policia dhe arrestimi ndodhi pas një periudhe të gjatë vëzhgimi.

“Kam hyrë te berberi dhe e kam parë që ajo makina që më përcillte është ndalur. Që nga ai moment kam qenë në përcjellje deri në orën rreth 09:30, kur më arrestuan”, ka kujtuar ai.

Gucati ka theksuar se forca policore ka hyrë pa ftesë dhe pa paralajmërim në zyrën e tij, duke e arrestuar.

“Më ofruan të nënshkruaj fletarrestin, por refuzova pa praninë e avokatit. Ata i lidhën duart kur dola te lifti”, ka thënë ai, duke shtuar se kishte dyshime për udhëheqësin e aksionit, Zdenka Paper, një grua nga Kroacia.

Gjatë transportimit, Gucati ka pohuar se ata i vendosën prangat vetëm në duar, pasi një mjek amerikan e paralajmëroi për rrezikun që mund të shkaktonin nëse do të përdornin prangat në këmbë, duke pasur parasysh plagën e tij.

Ai ka treguar gjithashtu se kishte pesë automjete që e mbikëqyrnin në Hagë dhe se trajtimi i tij ka qenë i përcjellë me shumë vëmendje nga forcat e sigurisë.

Ai ka kërkuar disa herë të identifikohen ata që i kanë vjedhur dhe rrjedhur dosjet, që lidheshin me aktakuzat ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pohuar se rreth 7,000 faqe janë rrjedhur dhe dërguar në organizatën e tij.

“Nuk e di kush i ka sjellë ato dokumente në organizatë, por është e qartë se ka dyshime për qëllim të destabizlimit të vendit”, ka theksuar Gucati.

“Unë nuk e njoh këtë gjykatë. Ata mund të më kenë dënuar, por unë nuk e njoh këtë proces,” tha Gucati. Ai gjithashtu ka përmendur mungesën e hetimeve për rrjedhjen e dokumenteve, duke kritikuar rëndë punën e prokurorëve të Gjykatës Speciale.

Gucati, ka kritikuar ashpër prokurorin Jack Smith, duke e akuzuar për falsifikimin e rasteve dhe dështimin për të zbuluar se kush ka vjedhur dosjet nga kjo gjykatë.

AI ka theksuar se për katër vjet e gjysmë, Smith nuk ka mundur të zbulojë përgjegjësin për rrjedhjen e rreth 7,000 faqeve dokumentesh.

“Jack Smith, për mua mund të jetë gjithçka vetëm gjyqtar dhe prokurë s’mund të jetë, është një gënjeshtar i madh. Është një njeri që mund të falsifikojë raste, gjithçka mund të jetë prokuror jo. Për arsye se për katër vjet e gjysmë, nuk mundi ta zbulojë se kush i ka vjedhur ato dokumente. Mund të rrjedhin edhe prej Serbie, për ta destabilizuar vendin, mund të jetë edhe e qëllimshëm por ata është dashur të bëjnë hetime. Këtë mos hetim e kanë bërë me qëllime të caktuar, pasi janë duke dështuar në seanca të shumta”, ka deklaruar Gucati.

Në lidhje me trajtimin e tij në burg, Gucati ka pohuar se ai dhe të tjerët nuk patën mundësi për vizita familjare për 11 muaj.

“11 muaj nuk patëm vizita familjare fare, mbas 11 muajve u lejuan të kem vizita familjare. Trajtimi për brenda ka qenë i mirë, nga gjykata nuk mund të them se ka qenë mirë se këtë gjykatë nuk e njohim ne. Përderisa nuk e njoh këtë gjykatë edhe pse më kanë burgosur dhe dënuar, jo vetëm unë por ne kemi protestuar që kjo gjykatë të mos bëhet ne prapë nuk e njohim këtë gjykatë. S’mund të them se janë sjellë mirë, kur 11 muaj s’kanë lejuar vizita familjare. Gardianët kanë pasur sjellje të mira, trajtimi mjekësor ka qenë në nivel, pasi kam qenë dy herë më COVID”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se nuk është pyetur kurrë nga asnjë hetues për rrjedhjen e dokumenteve apo për publikimin e tyre, raporton RTVD.

Publikime te ngjashme