Ish-polici i Kosovës arrestohet në kufi, avokati Koci e quan hakmarrje të Serbisë pas dënimit të spiunit të BIA-s

1 minute, 40 seconds Read

Një tjetër ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe, një veprim që po cilësohet si reagim i drejtpërdrejtë dhe hakmarrje e Beogradit pas zbulimit të spiunazhit serb brenda institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Spahiu, i cili prej tre vitesh nuk është më pjesë e policisë dhe jeton në Gjermani, u ndalua të shtunën rreth orës 09:00 në pikën kufitare Serbi-Hungari. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ai po kthehej nga Austria për në Kosovë me autobus, i shoqëruar nga familja e tij.

Avokati i angazhuar për mbrojtjen e tij, Arianit Koci, thekson se Spahiu po merret në pyetje për rastin “Banjska”. Sipas Kocit, ky ndalim nuk është i izoluar, por vjen vetëm pak ditë pasi ish-polici Aleksandar Vlajiq pranoi fajësinë se punonte si spiun për shërbimin sekret serb (BIA).

“Ky rast është serioz… Ndalimi i Arbnor Spahiut po duket si reagim i drejtpërdrejtë ndaj këtij zbulimi. Është përpjekje për të frikësuar, për të ndëshkuar dhe për të krijuar pasiguri, sidomos për ata që dikur kanë shërbyer në institucionet e sigurisë së Kosovës,” ka shkruar Koci.

Avokati ka lëshuar edhe një paralajmërim për qytetarët: “Ky është një sinjal i qartë për të gjithë: kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe,” tha ai, duke kujtuar se pak ditë më parë u ndalua për disa orë edhe një ish-deputet.

Ndërkohë, MPJD ka konfirmuar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka kërkuar menjëherë sqarime zyrtare për ndalimin dhe se për rastin është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian.

Aktualisht, Arbnor Spahiu po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha dhe pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Komunale të Kikindës të hënën, më 9 qershor, në ora 09:00.

Publikime te ngjashme