Ish-hetuesi policor, Visar Rrecaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për ushtrimin e presionit të paarsyeshëm në ngritjen e aktakuzës për sulmin në Banjskë, duke e konsideruar vendimin e Prokurorisë Speciale për aktakuzë si të ngutshëm dhe problematik.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë edhe kreun e grupit terrorist Milan Radoiçiqin, lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Rrecaj e ka cilësuar këtë veprim si të parakohshëm dhe me ndikime politike.
“Nuk i duhet Kosovës një aktakuzë e ngutshme që mund të ketë defekte gjatë rrugës. Prokuroria ka pasur plot tri vite për hetime dhe ngritja e aktakuzës në mungesë të të pandehurve mund të sjellë probleme”, ka deklaruar Rrecaj për RTV Dukagjini.
Ai ka shtuar se presioni për të nxjerrë aktakuzë ka ardhur kryesisht nga Qeveria e Kosovës, duke e quajtur atë të pajustifikuar dhe jo etik.
“Çdo presion i ushtruar ndaj Prokurorisë Speciale që sa më shpejt të dalë më një aktakuzë ka qenë i paarsyeshëm dhe jo ligjor e jo etik në secilin drejtim. Nuk mund të themi se ka pasur presion publik, por presioni ka qenë politik, dhe kryesisht prej Qeverisë së Kosovës dhe një presion absolutisht pa kurrfarë karakteri… Kjo aktakuzë do të kalojë në shqyrtim gjyqësor e pastaj është faza e ankesave ne jemi në gjysmë të rrugës”, ka thënë ai..
“Por, unë konsideroj që është e ngutshme dhe e hershme, sepse prokuroria i ka pasur plotë tre vite për me hetu. Ngritja e aktakuzës tani për tani në mungesë të të pandehurve ka me paraqit shumë probleme, sepse mua nuk do të më kënaqte një aktgjykim dënues ndaj personave në mungesë, sidomos për rastin Banjska. Kjo për faktin se për një rast të tillë kaq të madh mua personalisht nuk më përmbushë. Prokuroria ka rënë pre e ndikimeve politike dhe kërkesave të vazhdueshme, sidomos prej eksponentëve politikë që kërkonin aktakuzë. Kjo Prokurori është dashur deri dy ditë para kalimit të afatit me krye hetime edhe kryesisht me u përqendru te arrestimi”, ka deklaruar Rrecaj. /Dukagjini