Irani s’heq dorë nga hakmarrja, mund të sulmojë këtë javë, Izraeli: Do kundërpërgjigjemi fort

1 minute, 40 seconds Read

Diplomacia e ethshme e Perëndimit, duket se nuk do të ndalë Iranin të vë në zbatim, hakmarrjen e planifikuar pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Hanijeh. Sipas Shtëpisë së Bardhë, një sulm nga Teherani apo milicitë e mbështetura prej tij në rajon mund të ndodhë që këtë javë. Pohimi konfirmon deklarata e qeverisë izraelite që tha më herët se kishte shumë gjasë që sulmi të ndodhte shpejt.

“Duhet të jemi të përgatitur për ato që mund të jenë një seri e konsiderueshme sulmesh. Për këtë arsye kemi shtuar praninë dhe kapacitetet tona në rajon në vetëm pak ditë”, tha John Kirby, këshilltar për Sigurinë Kombëtare.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Përmes një deklarate të përbashkët Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, i bënë thirrje Iranit të përmbahet nga sulmet kundër Izraelit. Por Irani refuzoi t’i bindej kërkesës së europianëve, duke i kritikuar atë për mungesë të logjikës politike dhe rënie në kontradiktë me parimet e ligjit ndërkombëtar.

“Pa asnjë kundërshti ndaj krimeve të regjimit sionist, deklarata e tre vendeve europiane i kërkon me paturpësi Teheranit të mos i përgjigjet shkeljes së sovranitetit dhe integritetit të tij territorial”, deklaroi Ministria e Jashtme e Iranit.

E ndërsa Irani duket i vendosur të mos tërhiqet, as Izraeli nuk ka ndërmend ta bëjë. Radio e Ushtrisë pretendon se vendi u ka dërguar një mesazh SHBA-së dhe disa shteteve europiane, për t’ia bërë të qartë se çdo sulmi të drejtpërdrejtë nga ana e Iranit do t’i përgjigjet me një sulm në territorin e Iranit. Burime jo zyrtare theksojnë se Tel Avivi ka sqaruar se është i vendosur të godasë Teheranin edhe nëse sulmet iraniane nuk do të shkaktojnë viktima.

Mesazhi synon të ndalë presionin e komunitetit ndërkombëtar që të mos i kundërpërgjigjet me forcë sulmit iranian.

Publikime te ngjashme