Irani ka paralajmëruar se do të hakmerret nëse sulmohet nga SHBA-të, ndërsa protestuesit sfiduan një goditje vdekjeprurëse qeveritare të shtunën në mbrëmje.
Videot e verifikuara nga BBC dhe rrëfimet e dëshmitarëve okularë duket se tregojnë qeverinë duke shtuar reagimin e saj ndaj protestave, të cilat janë përhapur në më shumë se 100 qytete dhe qyteza në çdo provincë të Iranit.
Mjekët në dy spitale i kanë thënë BBC-së se më shumë se 100 trupa ishin sjellë gjatë një periudhe dy-ditore. Numri i të vdekurve në të gjithë vendin frikësohet të jetë shumë më i lartë.
SHBA-të kanë kërcënuar të godasin Iranin për vrasjen e protestuesve. Kryetari i parlamentit të Iranit paralajmëroi se nëse SHBA-të sulmojnë, Izraeli së bashku me ushtrinë dhe qendrat e transportit detar amerikan në rajon do të bëhen objektiva legjitime.
Protestat u nxitën në kryeqytet, Teheran, nga inflacioni në rritje dhe tani po bëjnë thirrje për t’i dhënë fund sundimit klerikal të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Prokurori i përgjithshëm i Iranit tha se kushdo që proteston do të konsiderohej “armik i Zotit” – një vepër penale që mbart dënimin me vdekje – ndërsa Khamenei i ka cilësuar demonstruesit si një “grup vandalësh” që kërkojnë të “kënaqin” Trumpin.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të shtunën se SHBA-të “janë gati të ndihmojnë”, ndërsa Irani “po shikon LIRINË”.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, fajësoi SHBA-në dhe Izraelin për trazirat.
“Ata kanë trajnuar individë të caktuar brenda dhe jashtë vendit, kanë sjellë terroristë në vend nga jashtë, kanë vënë flakën xhamive dhe kanë sulmuar tregjet dhe esnafët në Rasht, duke i vënë flakën pazarit”, tha ai pa dhënë prova.
Ndërsa protestat intensifikohen, numri i vdekjeve dhe lëndimeve të regjistruara nga monitoruesit e të drejtave të njeriut vazhdon të rritet.

