Gjatë vitit 2024, remitencat e diasporës kanë konfirmuar rolin e tyre si një shtyllë jetike financiare për vendet e Ballkanit. Me vlera që arrijnë në miliarda euro, këto dërgesa vijojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe vendimtar në stabilitetin e ekonomive kombëtare të rajonit.

Të dhënat më të fundit nga Eurostat pasqyrojnë një varësi të lartë të rajonit nga mjetet e mërgimtarëve, të cilat shërbejnë kryesisht për konsum familjar dhe ekuilibër ekonomik. Në vlerë absolute, Kroacia kryeson listën me rreth 2.27 miliardë euro të pranuara, shumë kjo që përbën 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Bosnje dhe Hercegovina mbetet gjithashtu një ekonomi tejet e varur, duke arkëtuar rreth 1.99 miliardë euro nga diaspora, apo rreth 7.6% të PBB-së së saj. Ndërkohë, Shqipëria ka përfituar rreth 1.28 miliardë euro gjatë vitit 2024, vlerë që llogaritet në rreth 5.1% të ekonomisë kombëtare.

Në këtë panoramë rajonale, Kosova shënon nivelin më të lartë të varësisë ekonomike nga remitencat. Me rreth 1.32 miliardë euro të dërguara nga diaspora, kontributi i mërgatës në Kosovë arrin shifrën mbresëlënëse prej afërsisht 12.7% të PBB-së.

Në fund të këtij klasifikimi renditen Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Mali i Zi regjistroi rreth 345 milionë euro (4.5% të PBB-së), ndërsa Maqedonia e Veriut rreth 310 milionë euro, që përfaqësojnë rreth 2% të ekonomisë së saj.

Ekspertët vlerësojnë se këto mjete mbeten jetike për mbulimin e shpenzimeve bazë dhe ruajtjen e stabilitetit social. Megjithatë, ata theksojnë se sfida kryesore mbetet orientimi i këtyre kapitaleve drejt investimeve prodhuese për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në të ardhmen./lajmishqip.net