Infantino flet hapur: Po ta kishim pranuar më herët, Shaqiri sot do të ishte pjesë e Kosovës

1 minute, 24 seconds Read

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka folur me emocion për lidhjen e thellë që futbollistët me origjinë kosovare ruajnë me atdheun e tyre, edhe pse janë rritur dhe formuar profesionalisht jashtë tij. Në një intervistë për podcastin zyrtar të FFK-së, ai theksoi se yje si Xherdan Shaqiri sot do të ishin duke mbrojtur ngjyrat e Kosovës, nëse pranimi ndërkombëtar i saj do të kishte ndodhur më herët.

“Për shumë lojtarë nga Kosova që janë lindur dhe rritur jashtë vendit, sigurisht që ka pasur shumë ndikime,” tha Infantino, duke shpjeguar se në mungesë të një alternative, shumë prej tyre zgjodhën të luanin për shtete të tjera, si Zvicra.

Duke veçuar emra konkretë, ai shtoi: “Për shembull, si Xherdan Shaqiri dhe të tjerët. Ata ishin ndër lojtarët më të mirë që mund të kishin luajtur ndonjëherë për Kosovën, por Kosova atëherë nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht, fatkeqësisht.”

 Xherdan Shaqiri

Kreu i FIFA-s theksoi se, pavarësisht karrierës ndërkombëtare, këta futbollistë mbeten thellësisht të lidhur me rrënjët e tyre. “Të gjithë këta lojtarë ndjejnë shumë për Kosovën, sepse prindërit e tyre kanë qenë të detyruar të largohen. Megjithatë, ata janë rritur me rrënjët e vendit të tyre.”

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur talentet e reja po zgjedhin gjithnjë e më shumë të përfaqësojnë Kosovën, ndërkohë që lojtarëve si Shaqiri e Xhaka nuk iu lejua ndryshimi i përfaqësueses pasi kishin luajtur në Kampionatin Evropian me Zvicrën./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme