Indeksi Global i Krimit të Organizuar për vitin 2025 e ka ranguar Kosovën si vendin me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.
Publikimi i këtij raporti përkon me Ditën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e të Gjitha Formave të Krimit të Organizuar Transnacional, shënuar më 10 nëntor.
Sipas gjetjeve të indeksit 2025, publikuar nga “Global Initiative Against Transnational Organized Crime”, Kosova shënon vlerësimin më të ulët të kriminalitetit rajonal me 4.85 pikë (në shkallën 1-10), bazuar në matjen e 15 tregjeve kriminale, 5 llojeve të akterëve kriminalë dhe 12 blloqeve të qëndrueshmërisë.
Kontribut të veçantë në këto rezultate pozitive i atribuohet Policisë së Kosovës, lidershipit dhe zyrtarëve të saj, të cilët përmes planeve strategjike dhe objektivave specifikë në luftimin e krimit, kanë shënuar avancim të a(theksuar ndër vite, duke e pozicionuar Kosovën si vendin me nivel më të ulët të krimit.
Gjithashtu, raporti i Komunitetit të Transportit (Transport Community), i publikuar më 12 nëntor 2025 dhe bazuar në të dhënat e 2024-ës, konfirmon se Kosova prin edhe në sigurinë rrugore, duke regjistruar numrin më të ulët të viktimave në aksidente fatale për një milion banorë në krahasim me vendet e rajonit.
Indeksi Global i Krimit të Organizuar mat dhe rendit shtetet bazuar në përhapjen e kriminalitetit dhe nivelin e rezistencës ndaj tij. Ai vlerëson aktivitete si trafiku i drogës, qenieve njerëzore e krimi kibernetik, si dhe aftësinë e shtetit për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve përmes qeverisjes, zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./lajmishqip.net
