Analisti dhe ish-deputeti Ilir Deda ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e quajtur këtë masë sinjalin e parë ndëshkues për institucionet kosovare.
“Kosova e dalë jashtë binarëve e gjen veten në klub me vendet jashtë orbitës së Perëndimit. ‘Bar do hamë…’, e dini vazhdimin,” tha Deda, duke e cilësuar gjendjen alarmante.
Sipas tij, pezullimi i dialogut nuk është fundi, por vetëm fillimi: “Mendoj që ky është veç masa e parë ndëshkuese. Të tjerat janë gati dhe do të merren nëse Kosova vazhdon ta dëmtojë veten,” theksoi ai.
Deda u shpreh se kishte pritur nga presidentja Vjosa Osmani që të ftonte partitë politike në një tryezë të përbashkët për të gjetur rrugëdalje nga kriza, por sipas tij, një hap i tillë nuk u bë për shkak të mungesës së pozicionimit politik të saj. “Natyrisht që nuk e bën sepse mandej duhet të pozicionohet qartë politikisht – kësaj radhe gjithsesi jo kundër gazetarëve,” shtoi ai.
Duke paralajmëruar për rreziqet e izolimit politik e diplomatik, Deda tha se Kosovës i duhet një kthesë e prerë:
“Politikës së Kosovës i duhet një prerje sa më e qartë. Nëse populli dëshiron izolim, varfëri, urrejtje dhe të bëhet pjesë e klubit me Gjeorgjinë, Rusinë, Bjellorusinë e Republikën Serbe të Bosnjës – atëherë le ta dërgojë vendin në humnerë.”/lajmishqip.net