Analisti politik, Ilir Deda, ka reaguar me tone të ashpra ndaj vlimit të tensioneve mes taborit të Albin Kurtit dhe Presidentes Vjosa Osmani, zhvillim ky që pasoi dështimin e kandidimit të saj për një mandat të ri në krye të shtetit.
Deda i ka cilësuar si tërësisht jonormale akuzat që po i adresohen Presidentes Osmani për një “puç” të supozuar, duke dënuar hapur fushatën e fundit linçuese që po orkestrohet kundër figurës së saj.
Ai ka nënvizuar se, ndonëse mospajtimet për politikat e brendshme mbeten legjitime, në sferën e jashtme Osmani mbetet e vetmja figurë që ka arritur të prodhojë rezultate konkrete për vendin.
Sipas tij, kultura e linçimit, përçarjes dhe teoritë konspirative po gërryejnë të sotmen dhe po vjedhin të ardhmen e vendit, duke pyetur nëse vërtet beson dikush që e para e shtetit synoi një grushtshtet.
“A jeni normal?”, pyet ai me indinjatë në reagimin e tij publik.
Deda shton se kushdo mund të ketë rezerva për mënyrën e veprimit të Osmanit brenda vendit, mirëpo në politikën e jashtme ajo ishte garantuese e raporteve me aleatët dhe sukseseve ndërkombëtare të Kosovës.
Incitimi i krizave të njëpasnjëshme dhe shoqërimi i tyre me fushata të rreme linçuese duhet ta shtyjë secilin qytetar të reflektojë mbi ambientin toksik ku po jetojmë dhe kohëzgjatjen e tolerimit të këtyre veprimeve.
Ai e mbyll duke potencuar se kjo krizë ishte tërësisht e panevojshme dhe nuk u shkaktua nga faktorë të jashtëm apo opozita, por nga etja për pushtet absolut, që bie ndesh me demokracinë dhe zhvillimin. /lajmishqip.net










