Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar ashpër Prokurorinë Themelore në Prishtinë lidhur me trajtimin e rastit të gazetarit Valon Syla. Reagimi i saj erdhi pasi prokuroria kërkoi vetëm masën e “ndalimit të afrimit” për Sylën, i cili u ndalua një ditë më parë nën dyshimin për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor ndaj partneres së tij.
Sipas Haxhiut, dështimi për të kërkuar paraburgim tregon për trajtim preferencial. “Prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim për dhunuesin Valon Syla… Mjafton të dalësh nëpër studio, që të trajtohesh ndryshe nga sistemi i drejtësisë,” shkroi ajo. Ministrja shtoi se veprime të tilla janë të papranueshme dhe i inkurajojnë dhunuesit që të vazhdojnë me veprimet e tyre, “sepse therë në këmbë nuk i mbetet. Mjerim!”, përfundoi Haxhiu, raporton lajmishqip.