Harta e re e pushteteve lokale: Si LDK e LVV barazohen me komuna dhe cilët kandidatë pranuan humbjen duke uruar kundërshtarët

2 minutes, 25 seconds Read

Të dielën e 9 nëntorit, qytetarët e 18 komunave iu drejtuan edhe njëherë kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët që në ruandin e parë nuk kishin arritur të fitonin shumicën e thjeshtë.

Procesi i balotazhit kaloi i qetë dhe pa incidente të mëdha. Sipas të dhënave të KQZ-së, mbi 32.5 % e qytetarëve kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën. Ndërkaq në rundin e parë të mbajtur më 12 tetor në të gjitha komunat, dalja ishte rreth 40%.

Ndryshim të pushtetit pati në Mitrovicën e Jugut, Fushë-Kosovë e Obiliq ku në të tri këto komuna kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje.

E pas mbylljes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, disa prej kandidatëve që garuan për postin e kryetarit të komunës kanë pranuar rezultatin dhe kanë uruar kundërshtarët e tyre për fitore.

Në mesin e tyre janë Hajrrulla Çeku i LVV-së i cili uroi Përparim Ramën e LDK-së për fitore.

“E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur. Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi”, shkroi ai në Facebook.

Ai falënderoi çdo qytetar që e votoi në dy rundet zgjedhore.

Edhe Arian Tahiri i PDK-së në Mitrovicën e Jugut, e uroi Faton Pecin e LVV-së për fitore derisa e cilësoi rezultatin si “vullnet të qytetarëve”.

Edhe Xhafer Gashi në Obiliq reagoi pas rezultateve, duke marrë përgjegjësinë për humbjen dhe duke dhënë dorëheqje nga nga të gjitha funksionet në LDK.

Ai i uroi sukses Halil Thaçit nga LVV-ja. Gashi kishte qenë kryetar i Obiliqit për 12 vjet.

Me përfundimin e votimit në këto 18 komuna u bë e qartë shtrirja e partive politike në të 38 komunat e Kosovës.

Bazuar në rezultate, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë fituar nga shtatë komuna, Partia Demokratike e Kosovës gjashtë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë komuna, ndërsa Lista Serbe 10 komuna.

Rezultatet në komuna sipas partive:

LVV – 7 komuna: Gjilan, Mitrovicë, Podujevë, Fushë Kosovë, Shtime, Obiliq, Kamenicë

LDK – 7 komuna: Prishtinë, Pejë, Istog, Lipjan, Dragash, Viti, Junik

PDK – 6 komuna: Prizren, Ferizaj, Skënderaj, Vushtrri, Kaçanik, Hani i Elezit

AAK – 5 komuna: Gjakovë, Rahovec, Klinë, Deçan, Suharekë

Nisma – 1 komunë: Malishevë

Balotazhi u mbajtë në 18 komuna të vendit, përfshirë: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Kujtojmë se kryetarët e komunave kanë mandat 4-vjeçar.

Publikime te ngjashme