Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike raportimet se partia e tij tashmë ka një emër konkret për Presidentin e Republikës, duke i cilësuar si spekulime të paqëndrueshme zërat që e lidhnin kryeakademiken Justina Pula me këtë post.
“Nuk kemi proceduar me asnjë emër, pasi bisedimet tona nuk kanë mbërritur ende te faza e propozimit; deri më tani jemi fokusuar ekskluzivisht te parimet, me dëshirën që vendi të sigurojë një kryetar shteti”, deklaroi Hamza.
Ai sqaroi se kërkesa e opozitës bazohet në një dakordim paraprak, ku kandidati do të nominohej nga radhët e PDK-së si një figurë me dinjitet e integritet, qoftë nga strukturat partiake apo jashtë tyre, që i zotëron të gjitha kualitetet e nevojshme presidenciale.
Në mbyllje, Hamza rikonfirmoi pozicionin e tij të prerë: Partia Demokratike e Kosovës nuk do të propozojë asnjë kandidat për President pa u arritur fillimisht një marrëveshje e qartë dhe e qëndrueshme politike./lajmishqip.net









