Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka zgjedhur Prizrenin për të hapur fushatën zgjedhore, ku ka prezantuar një program qeverisës ambicioz që prek zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen.
Hamza theksoi se Kosova ka nevojë urgjente për një kapitull të ri stabiliteti, duke kritikuar qeverisjen e kaluar për premtime të shumta, por rezultate minimale. Në qendër të zotimeve të tij ishte rritja e pagave dhe reformat rrënjësore fiskale.
“Ne besojmë në një zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës. Prandaj, zotohem se pagat për mësuesit, mjekët, policët, ushtarët dhe të gjithë punonjësit e sektorit publik do të rriten deri në 50 për qind,” deklaroi Hamza. Ai prezantoi gjithashtu një skemë të re tatimore: pagat deri në 400 euro do të kenë zero tatim, ato nga 400 deri në 800 euro do të tatohen vetëm 8%, ndërsa pagat mbi 800 euro do të kenë një tavan tatimor prej 10%.
Programi ekonomik parashikon gjithashtu heqjen e TVSH-së për produktet esenciale dhe energjinë, si dhe ndryshimin e pagesës së TVSH-së për bizneset nga kufiri në brendi të vendit. Bizneset e vogla me qarkullim deri në 10 mijë euro do të lirohen plotësisht nga tatimi.
Në sferën sociale dhe infrastrukturore, Hamza premtoi krijimin e Fondit të Papunësisë, Gjykatën e Punës, ndërtimin e Stadiumit Olimpik Kombëtar dhe legalizimin e ndërtimeve pa leje me tarifa simbolike për të zhbllokuar kapitalin e ngrirë. Për arsimin dhe shëndetësinë, ai u zotua për një fond vjetor prej 30 milionë eurosh për bursa studentore dhe ilaçe falas për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.
Një pikë kyçe e programit ishte siguria dhe politika e jashtme. “Do ta krijojmë Gardën Kombëtare të Kosovës si forcë operative sipas standardeve të NATO-s. Anëtarësimi në NATO dhe BE nuk ka alternativë,” theksoi Hamza, duke premtuar rifillimin e dialogut strategjik me SHBA-në.
Në përmbyllje, Hamza ftoi qytetarët të votojnë PDK-në për të garantuar një të ardhme më të sigurt dhe të zhvilluar për Kosovën./lajmishqip.net
