Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, është njëri ndër panelistët që po diskuton sonte në Pressing për Konferencën e Rambujesë, 25 vjet pas.
Haliti tha se ish i dërguari amerikan për Ballkanin, Robert Gelbard, u kishte thënë se UÇK në syrin e amerikanëve ishte atëkohë “terroriste”.
Por, Haliti tha në çdo takim që zhvillonte delegacioni kosovar, mesazhi ishte që Kosova është me Përëndimin dhe me SHBA-në.
“Z.Gelbard i cili ka qenë shef i ngarkum nga Departamenti i Shtetit për Ballkanin, njerëzit e akuzojnë z.Gilbard ka deklaru që UÇK-ja është terroriste. Ai s’ka thënë që është terroriste por ka thënë që UÇK-ja në syrin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve është terroriste dhe kështu ka qenë, ai s’ka thënë diçka që nuk ka qenë e vërtetë”, tha Haliti në Pressing.
“Pas 10 ditësh në Gjenevë është takuar delegacioni që e kam dërgu unë me z.Gelbard dhe dua të them që takimet janë zhvillu gjithmonë me një qëllim dhe mesazh të njejtë, qoftë në Kosovë, në Shqipëri apo në Perëndim. Mesazhi kryesor ka qenë ne jemi me Përëndimin e me Amerikën dhe tjerat s’kanë pas rëndësi”, tha Haliti më tej.