Alan Shearer, golashënuesi historik i Premier League, ka përzgjedhur formacionin më të mirë për pjesën e parë të edicionit 2025/2026. Në listën elitare të publikuar në faqen zyrtare të kampionatit anglez, një vend meritor ka zënë edhe kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka.
Shearer ka argumentuar zgjedhjen e tij duke e cilësuar mesfushorin shqiptar si një lider të padiskutueshëm. “Aftësia e tij me topin ka qenë e mrekullueshme, ashtu si edhe cilësitë e tij drejtuese brenda dhe jashtë fushës”, ka komentuar Shearer për performancën e Xhakës.
Në repartin e mesfushës, përkrah Xhakës janë rreshtuar yjet Declan Rice i Arsenalit dhe Moises Caicedo i Chelseat. Sulmi udhëhiqet nga makineria e golave Erling Haaland, i mbështetur nga Phil Foden dhe Morgan Rogers. Mbrojtja përbëhet nga katërshja Timber, Guehi, Gabriel dhe Cucurella, ndërsa në portë është përzgjedhur Robin Roefs.
Xhaka 33-vjeçar, i cili iu bashkua Sunderlandit nga Bayer Leverkuseni korrikun e kaluar për 15 milionë euro, është shndërruar shpejt në motorin e skuadrës. Me një gol dhe pesë asistime në 21 ndeshje, shumë ekspertë po e vlerësojnë atë si transferimin më inteligjent të verës së kaluar në Premier League. /lajmishqip.net

