Miratimi i marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e cila ishte dakorduar në korrikun e kaluar, pritet të pezullohet nga Parlamenti Evropian. Ky lajm konfirmohet nga burime pranë Komisionit për Tregti Ndërkombëtare, bën të ditur transmetuesi britanik, BBC.
Sipas raportimeve, njoftimi zyrtar për pezullimin e këtij pakti pritet të bëhet të mërkurën pasdite në Strasburg. Marrëveshja fillestare ishte vulosur gjatë një takimi në pronën e Donald Trumpit në Skoci, ku presidenti amerikan dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, arritën një akord mes fushave të golfit.
Pika kryesore e këtij pakti parashihte uljen e taksave amerikane për importet nga BE-ja në 15 për qind. Kjo lëvizje vlerësohej si një arritje pozitive, sidomos pas kërcënimeve të mëparshme të Trumpit për vendosjen e tarifave drastike prej 30 për qind. Megjithatë, që ky proces të finalizohet, kërkohet pëlqimi i Parlamentit Evropian, ku Komisioni për Tregti ende nuk e ka përmbyllur shqyrtimin e nevojshëm.
Tensionet u përshkallëzuan të shtunën, kur Trumpi përsëriti kërcënimet me taksa të reja si kundërpërgjigje ndaj refuzimit të vendeve evropiane për t’i dhënë ShBA-së kontrollin mbi Grenlandën. Pas kësaj, Manfred Weber, eurodeputeti gjerman me peshë të madhe politike, deklaroi prerazi se miratimi i marrëveshjes tregtare është i pamundur në rrethanat aktuale.
Në pritje të këtij finalizimi, Bashkimi Evropian kishte pezulluar taksat hakmarrëse ndaj mallrave amerikane, vlera e të cilave arrin në 93 miliardë euro. Me skadimin e këtij afati më 9 shkurt, situata mbetet kritike. Nëse nuk arrihet një zgjatje e pezullimit ose miratimi nga Parlamenti Evropian, taksat e BE-së ndaj mallrave nga ShBA-ja do të hyjnë në fuqi automatikisht më 7 shkurt. /lajmishqip.net
