Viti 2026 ka nisur me sfida të rënda për ekonomitë familjare në Kosovë. Përkundër krizës evidente, tarifat e ujit nga ky janar do të pësojnë një rritje deri në 40 për qind, teksa paralajmërohet edhe një shtrenjtim i ri i energjisë elektrike.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar me ashpërsi ndaj këtyre zhvillimeve, duke konstatuar se qytetarët po zhyten në faturime të papërballueshme.
Sipas kësaj organizate, ZRrE po shqyrton rritjen e çmimit të rrymës në një kohë kur këto kosto po ngulfatin familjet kosovare dhe po i çojnë bizneset drejt falimentimit të pashmangshëm.
Në reagimin e tyre, KMDLNj adreson akuza të drejtpërdrejta ndaj institucioneve për mungesë totale të vullnetit për mbrojtjen e interesit publik.
“Për shkak të neglizhencës së qeverisë, ZRrE po vazhdon t’i penalizojë konsumatorët mbi baza etnike e politike, duke u shërbyer interesave të oligarkëve të ‘Mafies Energjetike’”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Organizata tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i shërbimeve bazike si uji dhe energjia do të shkaktojë efekte zinxhirore në të gjithë sektorët e ekonomisë.
“Rritja e çmimit të ujit dhe rrymës do të përkthehet menjëherë në faturime më të larta për produktet elementare të mbijetesës dhe shërbimet tjera”, paralajmëron KMDLNj.
Ndonëse faturat e mbeturinave dhe ujit dikur ishin të menaxhueshme, situata me energjinë elektrike tashmë vlerësohet si tërësisht alarmante.
“Barra financiare e rrymës ka tejkaluar çdo mundësi pagese për shumicën e ekonomive familjare dhe ndërmarrjeve në vend”, theksohet më tej.
Përballë kësaj situate, KMDLNj ka kërkuar reagim të prerë qytetar, duke bërë thirrje për mobilizim dhe protesta në rrugë.
“Ftojmë qytetarët e Kosovës që t’i kundërshtojnë këto shtrenjtime përmes protestave masive dhe bllokimit të zyrave të ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve tjerë”, thuhet në thirrjen e tyre.
Gjithashtu, organizata kërkon nga spektri politik që të dalë në mbrojtje të mirëqenies së popullatës.
“Pozita dhe opozita duhet të rreshtohen krah qytetarit e jo krah ‘Mafies Energjetike’”, thuhet në reagim, ku kërkohet edhe llogaridhënie për mospagesën e rrymës në veri të vendit.
Në mbyllje, KMDLNj paralajmëron se pasiviteti shoqëror do të prodhojë një kolaps social edhe më të thellë.
“Nëse nuk ka reagim mbrojtës, spiralja e shtrenjtimeve do të shkatërrojë cilësinë e jetës dhe do të shkelë flagrantisht të drejtat bazike të njeriut”./lajmishqip.net

