Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përmbyllur edhe formalisht procesin e shkëputjes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke i vënë pikën bashkëpunimit shumëvjeçar me autoritetin më të lartë global të shëndetit publik.
Ky vendim u konfirmua nga Departamenti amerikan i Shëndetësisë, duke jetësuar zotimin e hershëm të presidentit Donald Trump, i cili e kishte iniciuar këtë procedurë që në mandatin e tij të parë. Tërheqja mori formë të prerë menjëherë pas nisjes së mandatit të dytë përmes një urdhri ekzekutiv, raporton CNN.
Ndonëse legjislacioni amerikan kërkonte njoftimin njëvjeçar paraprak dhe shlyerjen e obligimeve financiare, autoritetet në Uashington pranojnë se i detyrohen OBSH-së rreth 260 milionë dollarë. Ekspertët ligjorë vlerësojnë se gjasat që këto fonde të paguhen mbeten minimale pas kësaj krisjeje.
Administrata ka bërë të ditur se të gjitha financimet për organizatën tashmë janë pezulluar, ndërkohë që personeli dhe kontraktorët amerikanë janë tërhequr plotësisht. Nga tani, SHBA-ja nuk do të ketë më përfaqësues në komitetet apo strukturat teknike që udhëhiqen nga ky institucion.
Përkundër kësaj, zyrtarët në Uashington insistojnë se shteti do të mbajë angazhimin ndërkombëtar në shëndetësi përmes marrëveshjeve direkte dypalëshe dhe partneriteteve me organizata joqeveritare, me fokus në monitorimin e sëmundjeve infektive.
Ky hap ka nxitur shqetësime të mëdha në arenën ndërkombëtare të mjekësisë. Shumë ekspertë të fushës alarmojnë se mungesa e Amerikës në OBSH mund të gjymtojë koordinimin global dhe ta lë botën të pambrojtur përballë krizave të ardhshme shëndetësore.
Me këtë akt, SHBA-ja shënon precedentin si vendi i parë që braktis Organizatën Botërore e Shëndetësisë, pjesë e së cilës mbeten aktualisht 193 shtete anëtare./lajmishqip.net

