Tashmë është konfirmuar se Marko Roshiq, i dënuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është arratisur nga Kosova. Ndërkohë, nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për Nacionalen se është lëshuar urdhërarrest për të.
Nga kjo Gjykatë, kanë thënë se i akuzuari nuk është gjetur në adresën e tij të banimit.
“Nga Stacioni Policor në Veri, gjykata është njoftuar se ka ndërmarr veprime për ekzekutimin e aktvendimit të gjykatës, mirëpo i akuzuari nuk është gjendur në adresën e banimit, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit, duke lëshuar urdhër-arrest për arrestimin e të akuzuarit M.R. dhe dërgimin e tij në qendrën e paraburgimit.” – thuhet në njoftim.
Ndryshe, pas vendimit nga Gjykata me datën 28 qershor, Roshiq është i pakapshëm për institucionet vendore.
Për Nacionalen, në lidhje me këtë foli edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Ditën kur është marrë vendimi rreth orës 10:00. Neve na kanë sjellur vendimin për ekzekutimin e dënimit dikund pasdite. Po atë ditë ne kemi shkuar për ta arrestuar por ai s’ka qenë në shtëpi.” – tha ai.