Ka përfunduar operacioni i kërkimit për 39-vjeçaren Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e saj që u mbytën në ujërat e lumit Buna.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi, ka dhënë detaje nga operacioni, ku tha se gjatë 3 ditëve të kërkimit janë angazhuar 96 forca operacionale dhe 13 mjete ujore, shtuar dhe këtu ndihmën e dhënë nga banorët e zonës.
Peleshi shpreh ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e viktimave për këtë ngjarje tragjike që ka prekur mbarë opinionin publik.
“Pas përpjekjeve të pandërprera triditore është bërë e mundur gjetja e të katër trupave, të mbytur në lumin Buna, nënës dhe 3 fëmijëve.
Nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, u angazhuan 96 forca operacionale dhe 13 mjete nga strukturat vendore dhe qendrore, përfshirë Forcat e Armatosura, Forcat Renea, Njësinë e Sigurisë Publike, DVP Shkodër, dhe DRKM, si dhe banorë të njësisë administrative Dajç.
Një ngjarje tragjike, që tronditi gjithë shoqërinë. Ngushëllimet më të ndjera familjarëve në këtë moment të dhimbshëm!”- shkroi Peleshi.
Kujtojmë gjithashtu se po këtë të martë, Gjykata e Shkodrës vlerësoi të ligjshëm arrestimin e babait, Erdgys Arrazi, si i dyshuar se është bërë shtysë për aktin e vetëflijimit të bashkëshortes bashkë me fëmijët. Problemet në çift dyshohet se lindën si pasojë e një lidhjeje jashtëmartosore të 31-vjeçarit.