Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një panel diskutimi gjatë ditë së martë në Bled të Sllovenisë ka folur edhe për reagimet e aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës për veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në Veri të vendit.
Gërvalla ka thënë se raporti i Kosovës me aleatët shkon shumë përtej punëve ditore që bëhen, duke kujtuar ndihmën e NATO-s për çlirimin nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit.
“Raporti i Kosovës me partnerët shkon përtej punëve ditore që ne po bëjmë. Kosova është storie suksesi e Perëndimit. Kosova është një storie suksesi e SHBA-së dhe Evropës sepse na u dashtë NATO që të ndalte gjenocidin dhe të sillte liri për njerëzit tonë. Prandaj raporti ynë shkon shumë përtej asaj që ne jemi duke bërë në disa pjesë të vendit”, ka thënë Gërvalla.
Kryediplomatja kosovare ka përmendur edhe çështjen e Urës së Ibrit, duke thënë se do të vazhdohet hapja e urave, sepse ato s’janë për të mbetur aty me simbole të vjetra të Sllobodan Millosheviqit në një qytet të ndarë.
“Ajo çfarë po bëjmë, kemi pasur diskutim për hapjen e urave, po pra do të vazhdojmë të hapim urat, sepse ato janë për të bashkuar njerëzit dhe qytetet, urat s’janë për të mbetur aty me simbolet e vjetra të Sllobodan Millosheviqit në qytet të ndarë. Do të vazhdojmë të ofrojmë për të gjithë për të jetuar në paqe dhe siguri në vendin tonë”, është shprehur ajo.
Gërvalla në fjalën e saj duket se i ka çuar mesazh edhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Jim Obrien, i cili kishte quajtur veprimet e Kosovës në Veri të pa koordinuara dhe provokative. Ministrja e Jashtme ka thënë se veprimet e Kosovës s’janë provokim për askënd dhe se provokim për Serbinë është vetë ekzistenca e shtetit dhe Republikës së Kosovës.
“S’do të ndalemi së bëri gjënë e duhur, sepse në anën tjetër të kufirit s’janë të interesuar të shohin Kosovën duke prosperuar. Dhe për të qenë e hapur dhe e sinqertë me ju. Ajo që po bëjmë s’është provokim për askënd, ekzistenca jonë si Kosovës, si Republikë, është provokim për fqinjin tonë verior. Por s’mund të zhdukemi dhe jemi aty për të qëndruar”, ka thënë tutje Gërvalla.