Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke nënvizuar se veprimet e Serbisë janë pasqyrim i drejtpërdrejtë i qëllimeve të Rusisë në rajon. Sipas kryediplomates, politika e jashtme e Beogradit nuk ka asnjë dallim nga ajo e Moskës zyrtare. Gërvalla solli në vëmendje faktin se një ditë më parë, Vuçiq e shpalli rendin botëror si të “vdekur” dhe paralajmëroi dyfishimin e forcave ushtarake, një mesazh ky që sipas saj është i koordinuar me interesat ruse.
Ajo potencoi se Serbia nuk po përballet me asnjë kërcënim të jashtëm, por rreziku i vërtetë buron nga vetë lidershipi i saj. Në vend që të angazhohet për ndërtimin e një shteti modern evropian, të fokusuar te reformat dhe vlerat e BE-së, udhëheqja serbe vazhdon të synojë krijimin e një perandorie rajonale. Ky projekt, sipas ministres, reflekton qartë një “mentalitet rus në miniaturë”. Gërvalla-Schwarz përfundoi reagimin e saj me paralajmërimin se kjo nuk do të ishte hera e parë që Serbia luan një rol destabilizues për sigurinë e Evropës. /lajmishqip.net
