Shkëlzen Gashi, analist i përhershëm në T7, ka bërë disa vrojtime “sociologjike e historike” në lidhje me pamjen e Prishtinës, kryeqytet i Kosovës. Në interpretimin e Gashit, Zheljko Raznatoviq “Arkani”, serbi i njohur gjerësisht për krime lufte në ish-Jugosllavi, del ta ketë trajtuar më mirë Prishtinën se politikanët e pasluftës.
Mbrëmë në emisionin “Pressing”, Gashi i hyri analizës arketektonike të Prishtinës, duke ardhur në përfundim se Prishtina është shkatërruar pas lufte më shume se gjatë viteve 90-ta. Gjithnjë sipas Gashit, Arkani del se ishte më i ndieshëm, më njerëzor, më i përmbajtshëm në lidhje me Prishtinën.
Arkani, në pikëvështrimin e Gashit, “nuk i ka bo” Prishtinës atë çfarë i kanë bërë udhëheqësit shqiptarët pas luftës. Madje, Gashi u përkujdes të pyeste në formë disi urdhërore nëse të pranishmit po e kuptonin analizën e tij.
“D.m.th. qaq i rëndë u kanë ky shkatërrim, sa që as ata kriminelët, ai regjimi kriminal në krye me Millosheviqin në vitet e 90-ta d.m.th. pisat më të mëdhaj të kombit serb na i ka pru qetu edhe sa e kanë shkatërru qysh e kemi shkatërru na. Arkani ka ardhur qesajde njeri edhe nuk i ka bo çka i kemi bo. A po kupton?” – tha Gashi fillimisht.
Në vazhdim, Gashi kishte fjalë të mira edhe për lagjet e ndërtuara në kohën e Josip Broz Titos, diktatorit socialist të ish-Jugosllavisë, regjimi i të cilit mbahet përgjegjës për vrasjen e qindra mijëra qytetarëve në vitet e sundimit. Në krahasim me ndërtimet e pasluftës, sipas Gashit, lagjet e ndërtuara në kohën e Titos janë “lule e dritë”.
“Ti sot i ki tri lagje në Prishtinë, të cilat i ka ndërtu shoku Josip Broz Tito, e ki Dardaninë, janë ndërtu në kohën e tij, edhe pse Dardania vonë në fund të shtatëdhjetave, përkatësisht në fillim të viteve tetëdhjeta. Por e ke Dardaninë, Ulpianën dhe Bregun e Diellit. Ato janë keq në vetvete, por kur e krahason me çka ke bo ti për këto 25 vjet, ato të duken lule e dritë. Ti je veç një barbar, shkatërron, prishë, s’di me ndreq kanalizimin” – ka vazhduar ai.