Forca e Sigurisë do të përgatisë liderë luftarakë. Bazuar në draftin e një udhëzimi administrativ që ka hartuar Ministria e Mbrojtjes, kuadrot do të ndjekin kurset në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, e edhe jashtë shtetit.
Ministria e Mbrojtjes ka hartuar draftin e një udhëzimi administrativ që përcakton arsimimin, stërvitjen, trajnimin dhe autoritetet për përzgjedhjen e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë (FSK) për këto aktivitete. Në dokument përshkruhen edhe detyrat e përbashkëta themelore, me të cilat njësitë aftësohen për të përmbushur me sukses misionin gjatë operacioneve luftarake.
Në mesin e kurseve përgatitore është edhe ai për prijësit në luftë.
“Kursi i Liderit Luftarak zhvillon elementet themelore të personalitetit të rreshterit si drejtues në rol të udhëheqësit të ekipit/skuadrës dhe detyra të njehsuara me to, zotërues i teknikave të detyrës dhe ndihmës kryesor për stërvitjen e ekipit/skuadrës, si dhe zhvillon aftësitë komunikuese dhe drejtuese”, thuhet në dokument.
Kursit të Liderit Luftarak do të mund t’i nënshtrohen brenda ose jashtë Kosovës, pjesëtarët e FSK-së me gradën tetar ose specialist.
“Kursi i Liderit Luftarak zhvillohet në Shkollën e Nënoficerëve në KDS (Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes v.j.) për pjesëtarët e FSK-së, por mund të ofrohet dhe të realizohet edhe jashtë vendit, sipas nevojës së institucionit”, thuhet në draftin e udhëzimit administrativ, i cili ndodhet në fazë të konsultimit publik. “Kursi i Avancuar për Lider zhvillon elementet themelore të personalitetit të rreshterit shtabor si udhëheqës i skuadrës, detyrave shtabore dhe detyrave të njësuara me to. Ky kurs përgatit rreshterët me njohuri teorike, teknike dhe drejtuese në fushën përkatëse ushtarake”.
Në Draft jepen të dhëna edhe për kurset e tjera.
Aty theksohet se trajnimet e përgjithshme ofrojnë njohuri dhe vetëdijesim për fushat me interes të veçantë për FSK-në, përfshirë Ligjin e luftës, kundërterrorizmin, sigurinë në operacione e të tjerë.
E Stërvitja Ushtarake Bazë parashihet të ofrojë tranzicion të rregullt të të rekrutuarve nga jeta civile në jetën ushtarake.
“FSK-ja planifikon, organizon dhe ekzekuton stërvitje individuale bazë dhe të avancuara specialistike për gradat e oficerit, nënoficerit dhe ushtarit. Stërvitjet individuale kryhen në domenin e stërvitjeve institucionale, operacionale dhe vetëzhvillimore. Këto stërvitje ofrohen nga njësitë e FSK-së sipas fushave dhe degëve përkatëse dhe ndahen në: Stërvitje Ushtarake, Stërvitje Individuale Këmbësorie dhe Stërvitje Individuale Specialistike”, thuhet në dokument, shkruan Koha.net.
Në Draftin e Udhëzimit Administrativ jepen definicione për hapat gjatë shkollimit.
Në të theksohet se zhvillimi profesional ushtarak është proces i vazhdueshëm dhe i avancuar përmes arsimimit, stërvitjes dhe trajnimit për të zhvilluar ushtarakë profesionistë. Ndërkaq, stërvitja individuale definohet si proces përmes të cilit përgatiten dhe formësohen pjesëtarët e FSK-së.
Kursi Bazë për Oficer është komponenti kryesor i trajnimit për të gjithë oficerët. Ky kurs, sipas dokumentit, përgatit pjesëtarët me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të bërë ndryshime në ushtri si udhëheqës të së ardhmes.
Ndërkaq, Kursi i Kapitenëve të Karrierës parashihet të përgatit oficerët e gradës kapiten, përkatësisht komandantët e kompanisë, për rastet më të vështira ushtarake, përfshirë edhe udhëheqjen e pjesëtarëve në beteja.
Në anën tjetër, Kursi i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm përgatit oficerin e karrierës për të plotësuar detyra në nivel të komandantit të regjimentit dhe të komandës, si dhe të jep njohuri për nivelin operativo-strategjik.
Në draftin e Udhëzimit Administrativ definohen edhe kurse të tjera.
“Kursi i Lartë për Oficer përgatit oficerin e karrierës për të plotësuar detyra në nivel strategjik, dhe programi i këtij kursi jep njohuri dhe trajnime analitike për probleme të mbrojtjes dhe të sigurisë në nivelin kombëtar, rajonal dhe më gjerë”, theksohet në dokument.
Ndërkaq, Kursi i Lartë për Nënoficer parashihet të zhvillojë elementet e personalitetit të rreshterit të klasit të parë si rreshter i togut, zëvendëskomandant i togut, nënoficer shtabor dhe rreshter i parë i kompanisë, si dhe detyra të njësuara me to.
E, Kursi i Rreshter Majorëve do të zhvillojë elementët e nënoficerëve të lartë për të punuar si këshilltarë të komandantëve nga regjimenti e lartë dhe në elementet shtaborë të komandave, Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas dokumentit, stërvitjet individuale dhe kolektive të pjesëtarëve të FSK-së zhvillohen në institucione, shkolla e qendra stërvitore të FSK-së, brenda dhe jashtë vendit, sipas koordinimeve ose marrëveshjeve paraprake.
Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, për qëllime studimi apo kërkime shkencore për fusha të veçanta që janë në interes të institucionit, për pjesëtarët e FSK-së, përveç kurseve për zhvillimin e karrierës, është paraparë të ofrojnë edhe bursa për kurse dhe studime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Në mesin e tyre përfshihen edhe studime pasuniversitare në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në programet e studimit “Master” dhe “Doktoratë”, në marrëveshje me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në draftin e udhëzimit administrativ parashihet edhe shkëmbimi i personelit dhe kadetëve me vendet partnere të Kosovës./Koha.net