“Faton Hajrizi qëlloi gjithsej nëntë herë në drejtim të policisë”

2 minutes, 6 seconds Read

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq tha se Faton Hajrizi, i cili vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër, është likuiduar sot në atarin e Banja Koviljaçës.

Daçiq u tha gazetarëve se vrasësi i policit Nikola Krsmanoviq qëlloi gjithsej nëntë plumba në drejtim të policisë serbe kur e gjetën, pas së cilës ai u vra.

Ai është raportuar nga një banor i fshatit Trbushnice kur i ka kërkuar ujë, tha Daçiq dhe shtoi se në këtë zonë ndodheshin rreth 400 policë që po e kërkonin, transmeton Ballkani.info.

“Këtu fshihej se ka lumë dhe kufi, kërkonte rrugë për ta kaluar lumin, kur ka ardhur policia jonë ka qëlluar me dy plumba në drejtim të mjetit të policisë, të cilës policia iu kundërpërgjigj dhe e goditi me një të shtënë”, ka thënë ai. Ai ka shtuar se sulmuesi ka gjuajtur gjithsej nëntë të shtëna në drejtim të policisë, pra të gjithë karikatorin.

Policia e kapi atë dhe e likuidoi, tha Daçiq, duke thënë se sulmuesi nuk kishte ndërmend të dorëzohej.

“Po flasim për kriminel mizor dhe më kanë thënë se kjo është vrasja e tij e pestë apo e gjashtë”, tha ai dhe njoftoi se MPB-ja do të vazhdojë të punojë në këtë rast dhe të arrestojë të gjithë personat që kanë lidhje me vrasjen e policit.

Ai ka theksuar se i vjen keq për familjen e policit të vrarë.

“E gjithë Loznica ishte në frikë. E ndoqëm në kamera, i gjetëm gjurmët në gardhe. Këtu është arma e tij me të cilën vrau policin”, thotë Daçiq.

Ai ka kujtuar se është arrestuar një çift i martuar nga Serbia, si dhe shoferi, ndërsa ka bërë të ditur se Serbia do të kërkojë nga Gjermania ekstradimin e vëllait të vrasësit.

“Historia se vëllai i tij i vodhi dokumentet është gënjeshtër. Pse u kthye nëse ishte në Gjermani. Ai ia dërgoi dokumentet dhe ai është bashkëpunëtor. Nuk do të tregojmë mëshirë për askënd”, tha Daçiq.

Ai gjithashtu vuri në dukje se në gjetjen e tij ka ndihmuar edhe fakti që MPB-ja ka publikuar një fotografi të vrasësit, sepse nga ajo fotografi është identifikuar nga banori i Trbushnicës. /Ballkani.info

Publikime te ngjashme