Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka reaguar zyrtarisht pas hedhjes së shortit për fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026. Nëse “Dardanët” sigurojnë kualifikimin historik, ata do të jenë pjesë e një grupi mjaft interesant përballë ShBA-ve, Australisë dhe Paraguait.
Megjithatë, tekniku gjerman, ndonëse e vlerësoi shortin si “tejet interesant”, kërkoi që euforia të lihet mënjanë dhe fokusi të kthehet plotësisht te sfidat jetike të play-off-it. Kosova do të përballet në mars me Sllovakinë dhe, vetëm në rast fitoreje, do të luajë finalen e madhe kundër Turqisë ose Rumanisë për biletën drejt Botërorit.
“Për ne, objektivi kryesor dhe më i rëndësishëm tani është vetëm kualifikimi. Kemi para nesh dy ndeshje vendimtare; e para kundër Sllovakisë është jetike dhe duhet ta fitojmë me çdo kusht. Nëse ia dalim, do të ndeshemi me Turqinë ose Rumaninë, dhe pikërisht këto janë betejat tona reale për momentin,” deklaroi Foda.
Ai nëvizoi se, pavarësisht joshjes që ofron grupi i mundshëm në Botëror, përqendrimi nuk duhet të humbet.
“Ishte një ngjarje fantastike me një atmosferë të mrekullueshme. Nëse arrijmë në Botëror, na pret një grup i balancuar ku gjithçka është e mundur. Por, siç e theksova, misioni ynë tani është kualifikimi; nëse e arrijmë këtë, atëherë gëzimi për ato ndeshje do të jetë legjitim,” përfundoi kreu i pankinës kosovare./lajmishqip.net
