Ambicia e kamotshme e Elon Musk për kolonizimin e Marsit duket se ka kaluar në plan të dytë, duke i lënë vend një objektivi më të prekshëm dhe të realizueshëm: dërgimit të njerëzve për të banuar në Hënë.
Miliarderi ka bërë të ditur se fokusi i SpaceX tani është zhvendosur te ndërtimi i një “qyteti vetë-rritës në Hënë”, projekt ky që pritet të finalizohet brenda një dekade, ndryshe nga misioni për Mars që mund të kërkojë mbi 20 vjet kohë.
“Prioriteti ynë absolut mbetet sigurimi i vazhdimësisë së qytetërimit njerëzor dhe, në këtë aspekt, Hëna ofron zgjidhjen më të shpejtë”, është shprehur Musk.
Ai sqaroi logjikën e këtij vendimi duke thënë se “udhëtimi drejt Marsit është i mundur vetëm kur planetët rreshtohen çdo 26 muaj dhe zgjat gjashtë muaj, ndërsa drejt Hënës mund të nisemi çdo 10 ditë dhe mbërrijmë për vetëm dy ditë”.
Mbetet ende e paqartë se çfarë nënkupton saktësisht Musk me termin “qytet që rritet vetë” apo nëse ky vizion përputhet me strategjitë e ngjashme hënore që ka hartuar agjencia NASA.
Megjithatë, manjati i teknologjisë theksoi se kompania nuk ka hequr dorë përfundimisht nga Marsi, duke parashikuar nisjen e ndërtimit të një qyteti atje brenda një afati prej pesë deri në shtatë vjetësh.
Vetëm pak kohë më parë, miliarderi kishte deklaruar se SpaceX po punonte intensivisht për të ulur anijen e parë kozmike pa ekuipazh në Mars, diku nga fundi i vitit 2026.
Ky rishikim i parashikimeve për eksplorimin hapësinor vjen menjëherë pas blerjes së xAI nga SpaceX javën e shkuar, një lëvizje strategjike që shkrin dy nga sipërmarrjet e tij më ambicioze në kompaninë private më të vlefshme në glob.
Për më shumë se një dekadë, Musk e ka trumbetuar krijimin e një kolonie në Mars si misionin themelor të SpaceX që nga themelimi i saj në vitin 2002.
Në fjalimet e tij para punonjësve dhe në konferenca, ai ka shpalosur plane për një prezencë të përhershme njerëzore në Planetin e Kuq, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri për mbijetesën e njerëzimit përballë ndonjë apokalipsi eventual.
Në anën tjetër, NASA ka mbajtur fokusin te Hëna, veçanërisht pas mandatit të parë të Trump, kur ish-nënpresidenti Mike Pence befasoi botën me deklaratën se SHBA-të do t’i rikthenin astronautët atje brenda vitit 2024.
Ai plan ambicioz nuk u realizua dhe aktualisht NASA po punon për ta arritur këtë objektiv deri në vitin 2028, një afat kohor që përkon me planifikimet e bëra gjatë administratës Obama.
Ky rikthim do të shënojë herën e parë që këmba e njeriut shkel në sipërfaqen e Hënës që nga përmbyllja historike e programit Apollo në vitin 1972./lajmishqip.net

