Edhe komisionerët në Podujevë nuk i kanë shpëtuar tundimit për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve llapjanë. Rinumërimi i vetëm 10 për qind të kutive në këtë komunë ka shpërfaqur një skemë të gjerë të vjedhjes së votave, kryesisht mes kandidatëve brenda të njëjtit subjekt politik.
Nga kontrolli i vetëm 11 prej 110 kutive të votimit, rezulton se kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë pësuar devijimin më të madh, me plot 1,062 vota të tjetërsuara. Përfituesi kryesor i këtij manipulimi në Qendrën e Numërimit rezulton të jetë Ejup Maqedonci, të cilit i ishin shtuar 288 vota mbi ato që ka marrë realisht, duke përfituar kështu në mënyrë të parregullt 11.3 për qind të votave të partisë.
Krahas tij, parregullsi u vërejtën edhe te kandidatët e tjerë të LVV-së: 246 vota u shtuan për Vendenis Lahun, 174 për Adelina Stubllën, 65 për Drita Pajazitin dhe 58 për Fitim Hazirin.
Fenomeni i devijimit të votës preku edhe PDK-në, ku u abuzua me 120 vota. Përfituesja më e madhe në këtë subjekt doli të jetë Ditjona Statovci, së cilës iu përshkruan rrejshëm 85 vota më shumë, duke rritur rezultatin e saj me 14.1 për qind brenda votës partiake.
As LDK-ja nuk mbeti imun ndaj abuzimeve, ku u tjetërsuan 103 vota, me Qëndrim Softollin si përfituesin kryesor me 23 vota të shtuara. Ndërkohë, në AAK u evidentuan gjithsej 45 vota të vjedhura.
Këto mospërputhje alarmante kanë detyruar KQZ-në të urdhërojë rinumërimin e plotë 100 për qind në të gjitha komunat. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se po punohet me 76 ekipe në ditë për të përfunduar procesin. “Synojmë që rinumërimi i 2,557 vendvotimeve të mbyllet brenda janarit, në mënyrë që rezultatet përfundimtare të shpallen në fillim të shkurtit”, u shpreh Elezi. /lajmishqip.net
