Qeveria po rikthen për herë të dytë ofertën “Shqipëria 1 Euro”.
Këtë herë, do të jenë zonat malore, aty ku ftohen bizneset të investojnë me projekte që do të nxisin zhvillimin në lindje të vendit.
Pas bregdetit, edhe zonat malore do të zhvillohen me investime të reja. Për të nxitur ndërtimin e resorteve, komplekseve turistike apo bizneseve të tjera që hapin vende pune afatgjata, shteti do të vendosë në dispozicion të privatit prona shtetërore me çmimin simbolik 1 euro.
Projektligji është hedhur tashmë për konsultim dhe përparësi për të përfituar do të kenë personat që vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar atë.
Nisma për zhvillimin e pjesës lindore të vendit vjen pas programit të investimit në “100 Fshatra”, me moton “Investo në Tokën Tënde, Paketa e Maleve”.
Kujtojmë se për gjallërimin e ekonomisë në zonat malore, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje emigrantëve të rikthehen, ndërsa në fuqi është edhe një strategji e Ministrisë së Bujqësisë për të zgjeruar bizneset që operojnë si “Agro Turizëm”, të cilat punësojnë direkt ose indirekt banorët përreth tyre.