Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin më të fundit mbi mirëqenien sociale për dhjetorin e vitit 2025. Të dhënat tregojnë flukse të ndryshme në skemat pensionale, ku vërehet një rritje prej 2.7% në numrin e veteranëve përfitues krahasuar me vitin paraprak. Konkretisht, nga 36,990 përfitues sa ishin në dhjetor 2024, numri është rritur në 37,975 në fund të vitit 2025, që përbën 985 veteranë më shumë.
Lidhur me këtë trend, kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka sqaruar se rritja nuk vjen nga regjistrimet e reja, por nga procesi i pensionimit. Sipas tij, veteranët që kanë punuar në sektorin publik apo privat, pas moshës së pensionimit, zgjedhin pensionin e veteranit për shkak të vlerës më të lartë monetare.
“Shtimi ka ndodhur sepse personat që janë pensionuar kanë zgjedhur këtë skemë si më të favorshme. Nuk është shtuar numri sepse janë futur njerëz të rinj në lista, por sepse pensionistët po kalojnë te kategoria që u takon,” tha Gucati.
Ai hodhi poshtë pretendimet e Albin Kurtit për fryrje të listave, duke theksuar se ky ndryshim ndodh çdo vit në mënyrë natyrale. Gucati shtoi se derisa Kurti dikur ngrinte zërin për këto shifra, tani hesht përballë realitetit të qytetarëve. Vlen të theksohet se rritja e fundit e pagës minimale e miratuar nga Qeveria, nuk do të reflektohet në pensionet e kategorive të dala nga lufta. /lajmishqip.net
