Pavarësisht njoftimeve madhështore përpara vizitës së tij në Paris, presidenti serb Aleksandar Vuçiq mori një “dush të ftohtë” që në minutat e para të konferencës së përbashkët, pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron.
Banjska dhe Milan Radoiçiq e “goditën” Vuçiqin praktikisht menjëherë, sepse Macron tha se priste që të gjithë ata që morën pjesë në këtë sulm të armatosur të ndiqen penalisht. Pavarësisht se Serbia me këmbëngulje refuzon ta bëjë këtë, dhe organizatori kryesor i aksionit në të cilin vdiqën një polic i Kosovës dhe tre serbë, Milan Radoiçiq, ende po ecën i lirë, transmeton Ballkani.info.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se shtatë muaj nga Banjska dhe konflikti i armatosur në veri të Kosovës, opinioni ndërkombëtar nuk e ka harruar. Përderisa presidenti i Serbisë dëshiron që Banjska të bëhet vetëm një e kaluar e shëmtuar që nuk do t’i rëndojë marrëdhëniet e Serbisë me botën, “skeleti” i atij konflikti të armatosur “bie nga dollapi” herë pas here, shkruan Nova.
Në ceremoninë dhe fjalimin e përbashkët të Aleksandar Vuçiqit dhe Emmanuel Macronit në Paris, presidenti francez thuajse në hyrje të fjalimit deklaroi se pret që të gjithë ata që kanë lidhje me Banjskën të ndiqen penalisht.
“Në anën tjetër, ne duhet të tejkalojmë tensionet që u ngritën si rezultat i vendimeve të marra nga autoritetet e Kosovës që kanë të bëjnë me komunat me popullsi serbe, ne jemi të vetëdijshëm për kushtet e atyre marrëveshjeve”, ishte i qartë Macron.
Duke marrë parasysh që Macron është kreu i vendit të dytë më të fuqishëm në BE, qëndrimi ndaj konfliktit të armatosur ka peshë shtesë. Priten përgjigje, hetimet po ngecin dhe tani për tani Milan Radoiçiqit i mungon vetëm një vilë në veri të Kosovës, e cila është konfiskuar së fundmi.
Ai ka mjaft liri, pasi lëviz lirshëm në territorin e Serbisë, ndërsa kamerat e kanë regjistruar edhe duke rrahur njerëz dhe duke festuar ditëlindjen në Kopaonik.
Analisti i politikës së jashtme Boshko Jakshiq thekson se deklarata e Macronit është dëshmi dhe konfirmim i rëndësisë që Franca i kushton incidentit në veri të Kosovës.
“Për të gjithë ata që janë të përfshirë në politikë ishte e qartë se Banjska do të regjistrohet si një incident i rëndë me potencial zhvillimi për sigurinë e rajonit. Ishte krejt e logjikshme që të mos vihej ad acta, gjë që e dëgjojmë nga përkujtimet e shpeshta të Milan Radoiçiqit. Ky është një paralajmërim i ri dhe pritej që të përmendej në biseda private, por fakti që Macron e përdori për ta përmendur në konferencën për shtyp është vetëm një konfirmim se sa rëndësi i kushtojnë atij incidenti si Franca ashtu edhe BE-ja”, shpjegon Jakshiq për Nova.
Ai vëren se kjo i përshtatet konceptit të insistuar nga presidenti francez.
“Ai insistoi që të përmbushen dispozitat e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Kjo është në kundërshtim të plotë me atë që u tha, se Macron do ta ndihmojë Kosovën që të mos hyjë në Këshillin e Evropës. Agjendat janë krejt të ndryshme”, thotë Jakshiq.
Bota pret një reagim ndërsa Radoçiq është i lirë të rrahë njerëzit
Është i njohur fakti se në Serbi, ku ai banon rregullisht, organet kompetente nuk duan të zhvillojnë procedura gjyqësore ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Prokuroria po e ndjek zyrtarisht Radoiçiqin si organizator të konfliktit të armatosur në Banjska të Kosovës, por procedurat “bien” në vend.
Gjatë asaj kohe “Komandanti Milan”, siç e thërrasin shokët, rrah njerëzit, pushon në hotelin e tij në Kopaonik dhe gëzon lirinë që institucionet nuk duan t’ia mohojnë.
“Presidenti na siguron se institucionet po bëjnë punën e tyre dhe se hetimi është duke u përgatitur me themel. Të huajt prisnin se hetimi do të vonohej, por tani për tani rasti “Banjska”, në të cilin emri kryesor është Radoiçiq, është ulur në një nga sirtarët e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd. Shumë janë në pritje të hapjes së sirtarit dhe dyshimet janë të shumta. I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-të besojnë se ekzistojnë lidhje financiare dhe organizative ndërmjet Banjskës dhe Serbisë. Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se konflikti mund të kishte çuar në një situatë të rrezikshme, ndërsa e gjithë BE-ja pret një reagim”.
Nga Beogradi nuk ka reflekse të mëdha pas kërkesës së një pjese të madhe të publikut ndërkombëtar, që përputhet me idenë e Vuçiqit për të mos e përmendur më Banjskën. Flitet më së shumti nga Prishtina, e cila e sheh Banjskën si shansin e saj për të marrë pikë, të cilën Serbia e humbi më 24 shtator 2023, shkruan tutje kjo media serbe, relativisht e pavarur.
Që atëherë, Vuçiq dhe Serbia kanë pasur më pak hapësirë për manovrim dhe presidenti ka komentuar se nuk mund ta ekstradojë Radoiçiqin.
“Po ju pyes, sepse e dini se ne nuk mund të ekstradojmë askënd në Prishtinë, sepse nuk e njohim Kosovën si shtet”, tha Vuçiq. /Ballkani.info/