Procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit është në hapat e fundit. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, deri më tani janë procesuar mbi 80 për qind e vendvotimeve, saktësisht 2 061 nga gjithsej 2 557 sosh.
Ky operacion masiv pasoi zbulimin e skemave manipuluese gjatë rinumërimit të pjesshëm, ku u vërtetua tjetërsimi i qindra votave për kandidatë brenda subjekteve politike. Goditjen më të madhe e mori gara brenda Partisë Demokratike të Kosovës, ku prokuroria tashmë ka nisur hetimet dhe në Prizren janë prangosur 23 persona.
Megjithatë, kjo procedurë nuk ka prodhuar lëkundje në listat e deputetëve të partive shqiptare. Ndryshimi i vetëm substancial është regjistruar te komunitetet joshumicë, ku Fikrim Damka ka mbetur jashtë legjislaturës, duke ia lëshuar vendin Ergul Mazrekut.
Aktualisht, procesi vijon në 11 komuna dhe pritet të mbyllet këtë të diel. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka alarmuar se ankesat e mundshme në PZAP mund të zvarritin certifikimin, duke vënë në rrezik serioz humbjen e 90 milionë eurove nga Bashkimi Evropian për shkak të moskrijimit të institucioneve në kohë./lajmishqip.net
