Dosjet e munguara të fbi-së në aferën Epstein dalin në dritë: Çfarë zbulojnë tri intervistat për akuzat ndaj Trump?

2 minutes, 26 seconds Read

Dokumentet e FBI-së lidhur me pretendimet për abuzim seksual ndaj presidentit amerikan, Donald Trump – të cilat nuk u përfshinë në publikimin fillestar të dosjeve të Jeffrey Epstein – tashmë janë publikuar në internet nga Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së.

Ky veprim vjen pasi mediat amerikane raportuan me shqetësim mbi mungesën e këtyre materialeve në setin e parë të dokumenteve, njofton Sky News.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Materialet e reja përfshijnë përmbledhje dhe shënime nga tri intervista të ndara që FBI-ja ka zhvilluar me një grua, e cila ka pretenduar se ishte viktimë e sulmit seksual nga Epstein dhe e abuzimit nga presidenti aktual i ShBA-së.

Donald Trump i ka mohuar në mënyrë kategorike dhe të vazhdueshme këto akuza, ndërsa ai dhe Shtëpia e Bardhë kanë insistuar se dosjet e çështjes Epstein, në fakt, e shfajësojnë atë plotësisht.

Në një deklaratë të lëshuar të enjten, sekretarja për media e presidentit, Karoline Leavitt, i cilësoi këto pretendime si “tërësisht të pabaza” dhe të pambështetura në asnjë provë të besueshme.

Edhe vetë Departamenti i Drejtësisë ka tërhequr vërejtjen më herët se këto dosje voluminoze mund të përmbajnë akuza të paverifikuara lidhur me presidentin.

Cilat janë akuzat konkrete?

Gruaja nga Karolina e Jugut iu drejtua organeve të drejtësisë në vitin 2019, fill pas arrestimit të bujshëm të Jeffrey Epstein.

Ajo ka pretenduar se miliarderi i financave e kishte sulmuar në ishullin Hilton Head, në shtetin e saj të lindjes, kur ishte vetëm 13 vjeç.

Ky incident i dyshuar mendohet të ketë ndodhur rreth vitit 1984, sipas shënimeve të nxjerra nga përmbledhjet e intervistave të FBI-së.

Hetuesit federalë zhvilluan intervista pasuese në katër data të ndryshme gjatë vitit 2019: më 24 korrik, 7 gusht, 20 gusht dhe 16 tetor.

Këto data u bënë publike si pjesë e katalogut të provave kundër Ghislaine Maxwell, ish-partneres së Epstein dhe bashkëpunëtores së dënuar për komplot, të cilat u publikuan nga Departamenti i Drejtësisë.

Sidoqoftë, fillimisht në miliona faqet e dosjes Epstein u përfshi vetëm përmbledhja e 24 korrikut, e cila nuk përmbante asnjë akuzë specifike kundër Trumpit.

Tashmë janë bërë publike memot e tri intervistave të tjera të munguara. Gruaja – emri i së cilës është i censuruar në të gjitha shkresat – pretendon se është abuzuar nga Epstein dhe disa bashkëpunëtorë të tij, ku sipas saj, përfshihet edhe Trumpi.

Departamenti i Drejtësisë ka përsëritur paralajmërimin se materialet e aferës Epstein mund të përmbajnë pretendime të rreme dhe të paverifikuara.

Në kohën e publikimit, ky departament sqaroi se materiali mund të përfshijë imazhe, video apo dokumente të rreme ose të paraqitura gabimisht, pasi çdo dëshmi e dërguar nga publiku pranë FBI-së është bërë pjesë e kësaj dosjeje./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme